Protesta, Xhafaj me gjuhë të ashpër: Na pretë në besë, do merrni përgjigjen e merituar

“Askush nuk është mbi ligjin.”

Ky ishte paralajmërimi i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj për të gjithë ata qytetarë, të cilët kanë marrë pjesë ditën e sotme në protestën kundër taksës për rrugën e Kombit.

Në një dalje urgjente për mediat, Xhafaj bëri me dije se mes protestuesve ka pasur persona me precedentë penal.

Ministri i Brendshëm ka kërkuar si nga organet vendore po ashtu edhe nga protestuesit e përgjegjshëm, siç tha ai, që të negociojnë për të mos shkatërruar pronën e përbashkët publike.

Ai deklaroi se nga përleshja mes protestuesve dhe policisë kanë mbetur 12 efektivë të plagosur, ndërsa nuk foli nëse ka edhe nga ana e protestuesve persona të lënduar.

“Në përputhje me kërkesën e bërë dhe në respektim të kësaj të drejte themelore të qytetarëve, Policia e Shtetit krijoi të gjitha kushtet dhe mori masat e duhura sipas ligjit, për zhvillimin e këtij tubimi.

Sikurse mundet të keni ndjekur nga njoftime të ndryshme mediatike, manifestimi i presupozuar paqësor, u shndërrua menjëherë në një sulm barbar kundër punonjësve të Policisë së Shtetit dhe kundër pasurisë publike dhe asaj private.

Grupe individësh të papërgjegjshëm në përbërje të të cilëve në numër jo të vogël gjendeshin elementë me të shkuar të rëndë kriminale, si dhe persona të tjerë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shfrytëzuan pabesisht të drejtën legjitime dhe paqësore të tubimit.

Shpreh gjithë mbështetjen dhe respektin për të gjithë ata qytetarë të një zone të dalluar për  ndershmëri, krenari dhe fisnikëri sikurse është zona e Kukësit, të cilët u distancuan nga këta individë të papërgjegjshëm, si dhe ndaj atyre që nxisin veç zjarrin dhe dhunën për interesa politike dhe nuk u bënë pjesë e atyre, që pa asnjë shkak sulmuan egërsisht punonjësit e Policisë së Shtetit dhe shkatërruan pasurinë publike dhe atë private.

Asnjë e drejtë e pretenduar nuk mundet të justifikojë, në asnjë kohë dhe në asnjë rrethanë, sulmin kundër punonjësve të Policisë së Shtetit dhe shkatërrimin e pronës.

Janë lënduar 12 punonjës të FNSH-së nga gurët dhe sendet e forta të hedhura nga këta individë, ndërsa një punonjës policie është plagosur më rëndë dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore në spital.

Vlerësoj gjakftohtësinë dhe profesionalizmin e treguar nga punonjësit e Policisë së Shtetit në situatën e ndodhur pak orë më parë, duke shmangur kështu realizimin e skenarëve më të rëndë kriminalë, për të cilën ishin të interesuar provokatorë të caktuar.

Publikisht japë gjithë mbështetjen Policisë së Shtetit për çfarë ajo bënë për mbrojtur jetën dhe pronën e kujtdo.

Jam i keqardhur dhe ju kërkoj qytetarëve, Partive politike, medias dhe komunitetit të biznesit të distancohen ndaj gjithë atyre përfaqësuesve të Partive politike, që kanë inkurajuar me një gjuhë nxitëse protestuesit për ushtrim dhune ndaj Policisë dhe shkatërrim të pronës, duke sjellë në vëmëndje se ky është një precedent jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe anti-kushtetues.

Ju bëj apel Autoriteteve të Qeverisjes Vendore në Kukës të distancohen nga këto akte të dhunshme dhe të ushtrojnë ndikimin e tyre, duke qenë bashkëpunues dhe në ndihmë të Policisë së Shtetit, për të mundësuar normalitetin për lëvizjen e lirë të qindra qytetarëve dhe transportin e mallrave sot dhe në ditët në vijim.

Në cilësinë e Ministrit të Brendshëm, deklaroj se Policia e Shtetit në zbatim të ligjit, do të ketë një përgjigje të ashpër për çdo person që ka nxitur dhe është përfshirë në aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe që kanë sjellë një dëm të madh ndaj pronës publike dhe private.

Kush nxit dhunën dhe anarshin do të marri përgjigjen e merituar ligjore! Askush nuk mundet të jetë mbi ligjin!”, tha Xhafaj.

Edhe kryeministri Edi Rama, pati një reagim të fortë, ku u shpreh se ligji do të godasë të gjitha atë kanë dhunuar policinë dhe kanë shkatërruar makineritë.

Qindra qytetarë u dyndën ditën e sotme në drejtim të tunelit, ku është e vendosur kabina ku bëhet pagesa për rrugën e kombit, për të protestuar për tarifën e lartë, që duhet të paguhet për të kaluar në këtë rrugë.

Mes policisë dhe protestuesve ka pasur përplasje fizike, ndërsa më pas, ata i janë drejtuar makinerive ku paguhen pagesat, duke i djegur.

Pas disa orësh përleshje, ka përfunduar protesta, ndërsa ende nuk dihet se çfarë është vendosur lidhur me hapat e mëtejshme që do të ndjekin ata.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme