Protestat dhe reforma territoriale, aktivisti Andi Tepelena: Qeveria po riorganizon hartën për interes politik

Aktivisti Andi Tepelena, ka kritikuar reformën e re territoriale, duke e cilësuar atë si një nismë politike që, sipas tij, synon konsolidimin e pushtetit dhe ndikimin në zgjedhjet parlamentare të vitit 2027.

Në një intervistë për “syri tv”, Tepelena u shpreh se pas retorikës për “decentralizim” fshihet një proces i kundërt, ku bashkitë vijojnë të mbeten të varura nga pushteti qendror për shkak të mungesës së autonomisë financiare.

Sipas tij, riorganizimi territorial nuk synon përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, por është një lëvizje me prapavijë elektorale. Tepelena pretendoi se qeveria po ndërhyn në hartën administrative për të ndikuar në balancat politike para zgjedhjeve të vitit 2027.

“Është një pseudo-reformë në funksion të logjikës elektorale të zgjedhjeve që po trokasin në vitin 2027”, u shpreh ai.

Duke folur për bashkitë, Tepelena tha se ato nuk kanë pavarësi reale, pasi vendimmarrjet kryesore, sipas tij, varen nga qeveria qendrore. Ai argumentoi se mungesa e investimeve në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe shërbime bazë po ndikon në largimin e banorëve nga qytetet e vogla dhe zonat kufitare.

Ai akuzoi qeverinë se po lejon shpopullimin e këtyre zonave dhe se burimet natyrore të vendit nuk po sjellin përfitime për komunitetet lokale.

Tepelena u ndal edhe te protestat qytetare që janë zhvilluar në Tiranë dhe qytete të tjera, duke thënë se pakënaqësia ndaj qeverisjes është zgjeruar dhe lidhet me mungesën e shërbimeve, aksesin në hapësirat publike dhe mundësitë ekonomike.

Sipas tij, qytetarët kërkojnë më shumë autonomi lokale, zhvillim të barabartë mes zonave të vendit dhe mundësi për të jetuar në qytetet e tyre pa qenë të detyruar të largohen drejt Tiranës apo emigracionit.

“Shqiptarët kërkojnë dinjitet në vendin e tyre”, deklaroi Tepelena, duke shtuar se protestat në qytete të ndryshme tregojnë, sipas tij, një pakënaqësi që shkon përtej ndarjeve politike.

The post Protestat dhe reforma territoriale, aktivisti Andi Tepelena: Qeveria po riorganizon hartën për interes politik appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme