Gazetare: Melihate Rustemi
Greva e Sindikatës në Qendrën Shtetërore të Provimeve që ka nisur më 11 dhjetor do të rrezikoj edhe maturën shtetërore, përveç provimit profesional për mësimdhënësit. Kryetarja e Sindikatës, Emilija Boshkovska tha se greva nuk ka për qëllim dëmtimin e provimeve, por se përmes grevës kujtojnë Ministrinë e Financave se të punësuarit në Qendrën Shtetërore të Provimeve duhet të kenë rritje të pagave për 25%.
“Në këtë moment ishte paraparë të mbahet provimi profesional për mësimdhënës dhe asistentët profesional për praktikantët. Është diçka në të cilën janë përfshirë dhe prekur rreth 700 persona që janë regjistruar gjatë kësaj periudhe provimi. Ata 700 persona presin që deri në fund të vitit të kalojnë provimin dhe t’u transformohet punësimi, por në këtë rast provimi nuk do të ndodhë. Është diçka që mund të jetë më e rëndësishme tani se provimi i matures. Tashmë po përgatiten pyetje për maturën, dorëzohen tek ne por koordinatorët tanë nuk do ti pranojnë. Shumë procese që kanë nisur do të stopohen”, deklaroi Emilija Boshkovska, Sindikata e QSHP-së.
Lidhur me këtë problematikë nga Ministria e Financave u përgjigjën për Alsat se Qeveria ka vendosur një zgjidhje sistematike që mundëson rritje të vazhdueshme të pagave për të gjithë të punësuarit në sektorin publik. Gjegjësisht, të gjithë të punësuarit në administratë, duke përfshirë edhe punonjësit e Qendrës Shtetërore të Provimeve, kanë statusin e zyrtarit administrativ dhe ushtrojnë të drejtën e pagës në përputhje me Ligjin për zyrtarët administrativ, me të cilin është vendosur sistemi i rritjes së pagave. Ndërkohë, ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri grevën e vlerësoi si praktikë jo shumë të mirë. Sipas Shaqirit, gjithsecili po mundohet të shfrytëzoj një mekanizëm kushtëzimi për të arritur deri të qëllimi i caktuar.
Nga greva në fjalë do të pësojnë aktivitetet që zhvillohen gjatë kësaj periudhe në Qendrën shtetërore të provimeve siç janë: provimi profesional për mësues, trajnimi bazë për kandidatët për drejtorë, trajnimi i avancuar për drejtorë si dhe teste ndërkombëtare. /Alsat.mk