Protestë përpara Klinikës së Kardiokirurgjisë, kjo është arsyeja

Gazetare: Vjollca Aliti

Me duartrokitje e brohoritje pacientë të operuar në zemër u mblodhën përpara Klinikës së Kardiokirurgjisë për t’i dhënë mbështetje morale drejtorit Sashko Jovev i cili u shkarkua nga ministri i Shëndetësisë ditë më parë. Pos pacientëve, përpara Klinikës dolën edhe të punësuarit e këtij institucioni për të kërkuar rikthimin e drejtorit.

“Turp është kjo që po ndodh, ta largosh njeriun nga shtëpia e vet. Kjo është shtëpia e tij, ai e ndërtoi këtë Klinikë. unë isha edhe në shok dhomë, 7 ditë kam qëndruar, kam qenë edhe gjatë natës dhe nuk mundem të ankohem diçka…ai ishte gjithnjë këtu, mjekët ishin këtu. Kjo është turp, s’di në është diçka partiake por turp është”.

“Jam me transplantim dhe i operuar 5 herë. Erdhëm këtu të japim mbështetje për profesorin Sashko Jovev dhe ekipin e tij të cilët pa rezervë na mbështetën dhe na dhanë shans për jetë neve që jemi me transplantim. Jemi të revoltuar me jo profesionalizmin e ministrit i cili dëshiron të vendosë kuadro politik dhe jo profesional”, tha Sashko Jankullovski, pacient.

Jovev tha se periudhën e fundit është përballur me presione të shumta, ndërsa shkak për këtë sipas tij ka qenë organizimi i një ngjarje, ku ministri i Shëndetësisë është ftuar me vonesë dhe në orar të pa përshtatshëm për të.

“I bëjmë thirrje edhe njëherë Ministrisë së Shëndetësisë, ministrit dhe Qeverisë që ta rishqyrtojnë vendimin për shkarkim. Qëndrojmë fuqishëm pas asaj që “Ekipi që fiton, nuk ndërrohet”. Ta lëmë politikën anash në këtë shtet dhe t’i lëmë profesionistët ta bëjnë punën e tyre. Konsiderojmë se personat më me përvojë duhet t’i udhëheqin Klinikat”, Sashko Jovev, ish Drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë.

Për shkarkimin e tij Jovev ka angazhuar një ekip prej 7 avokatësh.

“Vendimi me të vërtetë është ofendim i inteligjencës. Te vendimi thuhet se për vitin 2022 ka lista pagese për kujdestari ndërsa kujdestarinë nuk e ka miratuar ministri. Paramendoni vjen dikush me nevojë urgjente dhe portierë t’i thotë s’mundemi të të pranojmë se nuk kemi pëlqim nga ministri. Vetëm kjo është arsyeja, kujdestari. Kjo gjë shihet nga larg se nuk ka shkelje por diçka tjetër fshihet pas saj”, u shpreh Mite Mihajllovski, Avokat.

Ministri Mexhiti tha se shkarkimi i Jovevit ka ardhur si pasojë e keqpërdorimeve të konstatuara gjatë punës së tij, duke hedhur poshtë akuzat se shkarkimi është çështje politike.

“Gjithkund ku do ketë keqpërdorime, me mua si ministër do ketë dhe sanksionime.  Unë jam ministër i Shëndetësisë bashkë me ekipin tim dhe ne vendosim për politikat shëndetësore, nuk merremi absolutisht me presionet politike. Ne para së gjithash jemi këtu për të mirën e pacientëve, të ju sigurojmë pacientëve kushte më të mira gjithash dhe punonjësve shëndetësorë të kenë kushte më të mira”, deklaroi Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.

Mexhiti ka paralajmëruar heqjen  të gjithë drejtorëve të Klinikave dhe vendosjen e një drejtori të vetëm të përgjithshëm për kompleksin e Klinikave në Shkup. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme