Gazetar: Zekirija Haxhiu
Qindra qytetarë nga Kosova, të organizuar me vetura e me autobusë, kaluan kufirin për në Maqedoni dhe morën rrugën për në protestë.
“9 nga 10 vetura të cilat kalojnë kufirin nga Kosova për në Maqedoni janë me targa të Kosovës. Kush me shokë, kush me familje e kush të organizuar në grupe janë nisur për në protestën e organizuar nga Shoqatat që kanë dalë nga lufta e UÇK-së”, raporton Zekirija Haxhiu – Gazetar.
Zyrtarët policor zbatonin procedurat e zakonshme të kontrollit por gjatë kohës sa ekipi qëndroi në terren, nuk u vërejtën vonesa. Në funksion ishin që të pesë kabinat policore për kontroll. Doganierët ishin më tepër në numër, dhe kontrollonin gati çdo veturë.
Kontrolloheshin edhe autobusët me të cilët në mënyrë të organizuar udhëtonin veteranë të luftës. Nga ata që ndaluam, nuk u ankuan për pengesë nga policia. Në protestë kërkojnë lirimin e të arrestuarve nga Gjykata Speciale.
“Dhe ne luftëtarët të gjithë edhe nga qendrat edhe ku janë të gjithë shqiptarët kërkojmë drejtësi. Përveç drejtësisë, për çlirimtarët kërkojmë liri dhe sa më shpejtë të vijnë tek familjet e tyre”, u shpreh Ismail Selmani – OJQ “Të gjithë për luftëtarët”.
“A ju bënë në kufi diçka problem policia? Jo se gjysma ishin tanët këtu, të gjithë më përshëndetshin Zoti i nderoft… Unë i bëj apel Gjykatës Speciale mos u bëj Serbi e Rusi, dhe një pjesë e politikanëve të Prishtinës janë bashkë me Serbi dhe Rusi dhe ndihmojnë Hashim Thaçin të qëndrojë në burg”, tha një qytetar.
“Prej Mitrovicës. Cilat do të jenë thirrjet e juaja sot në Shkup? Lirim sa më të shpejtë të krerëve të UÇK-së, po mbahen padrejtësisht atje. Është mendimi ynë dhe kjo është e vërteta. A kishit problem diçka në kufi? Jo jo mirë kaluam”, u shpreh një tjetër qytetar.
Mes protestuesve pati dhe një qytetar, të cilit i kishte skaduar regjistrimi i veturës dhe u detyrua të niset në këmbë.
“Jo jo jo, unë në këtë mision jam nisur dhe besoj se nuk do të kem problem dhe do të shkoj. A kishit pengesa në kufi diçka? Jo jo hiç… Nuk po provokojmë askënd kemi ardhë të kërkojmë lirimin e çlirimtarëve tanë”, deklaroi një qytetar.
Për në Shkup ishte nisur dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Përpos nga Kosova, në vendkalimin kufitar në Bllacë u vërejtën shumë vetura që vinin nga Shqipëria dhe nga Bujanoci. /Alsat.mk



