Një grup protestuesish janë mbledhur para Ambasadës së SHBA-së në Beograd dhe asaj të Shqipërisë, duke thënë se janë në mbështetje të serbëve të Kosovës.
Protestuesit janë të ideologjisë së krahut të djathtë dhe sipas policisë janë afër 40 deri në 50 veta, njofton Klan Kosova.
Madje, ata bënë edhe thirrje nacionaliste para Ambasadës së Shqipërisë duke thënë se “Kosova është Serbi” derisa policëve që ishin vendosur rreth Ambasadës iu thanë “Shkoni në Kosovë”.
Po ashtu, ata bënë thirrje fyese ndaj shqiptarëve dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Në duar mbanin pankarta me hartën e Kosovës duke thënë se nuk “dorëzohen”.
Kush janë organizatorët e protestës?
Grupet e krahut të djathtë bënë thirrje për protestë përmes rrjeteve sociale, por nuk u tregua se kush janë organizatorët e tubimit.
Deri në fillimin e protestës, Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes nga Radio Evropa e Lirë se cilët janë organizatorët dhe çfarë do të bëjë policia në rast se protesta nuk raportohet.
Damnjan Knezeviq, udhëheqësi i të ashtuquajturës “patrulla e popullit”, bëri thirrje gjithashtu për një protestë përmes rrjeteve sociale.
Ai deklaroi në një video në Facebook se protesta po organizohet para ambasadës sepse “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një nga armiqtë më të mëdhenj të qenies kombëtare dhe mbijetesës së shtetit, veçanërisht në Kosovë”.