Protestuesit Shaljanë janë mbledhur para “Trepçës” dhe i kanë dhënë ultimatum qeverisë “Kurti” që deri të premten ta anulojë konkursin dhe ta shkarkojë menaxhmentin e “Trepçës”, në të kundërtën situata mund të eskalojë në dhunë, të ketë thyerje të veturave, dëmtim të pronës, të lëndohen edhe njerëz dhe përgjegjësia bie te menaxheri i tashëm.
Rreth 40 minatorë dalin nga zgafellja, u sigurohet se nuk do të anulohet konkursi, shkruan sot Zëri.
Me greva të minatorëve e me protesta të Shaljanëve janë karakterizuar orët e fundit në minierën e “Trepçës” në Stan Tërg.
Protestuesit Shaljanë, të cilët me ngulm kërkojnë nga Qeveria ta anulojë konkursin me të cilin janë punësuar 230 punëtorë në “Trepçë”, si dhe shkarkimin e drejtorit menaxhues të “Trepçës” Basri Ibrahimin, i kanë dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës që deri të premten ta anulojë konkursin, si dhe ta shkarkojë menaxhmentin.