Provimi, MASH kërkon detektimin e lëshimeve

Gazetare: Melihate Rustemi

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri ka kërkuar nga Qendra Shtetërore e Provimeve të detektojë se kush nga pjesëmarrësit në realizimin e maturës shtetërore ka bërë lëshime që rezultoi me shpërndarjen e fotografive te provimit të gjuhës angleze. Sipas Shaqirit, secili që ka kontribuar në rrezikimin e mbarëvajtjes së maturës shtetërore do të bart përgjegjësi.

“Informacionet paraprake që kam, është bërë lokalizimi i disa shkollave në të cilat ka ndodhur dhe është paraqitur, janë paraqitur edhe nxënësit që kanë qenë të përfshirë në këtë komunikim, edhe ato të cilët kanë qenë përfaqësues qoftë drejtues të shkollës, qoftë mësimdhënës, qoftë të tjerët në këtë lloj proces. Patjetër, e kam kërkuar që drejtoria bashkë me këshillin për realizimin e provimeve të paraqes kush janë përgjegjësit për këtë lloj problematike”, deklaroi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.

Shaqiri paralajmëroi se vitin e ardhshëm shkollor, parashikohet që matura shtetërore të realizohet në hapësira më të mëdha, siç është një sallë sporti, ku do të marrin pjesë maturantët e gjithë qytetit.

“Nga sot Këshilli i organizimit të provimeve të bëj përgatitjet për vitin e ardhshëm pa dallim se si do të jetë, por të organizohen në forma e hapësira më të mëdha ku do të jetë numri i kontrollorëve më shumë. Do të jenë në hapësira të fushave sportive të ndryshme, në salla të sportit, do të jenë gjithë nxënësit e një qyteti, të bëjnë parapërgatitjet dhe do të kenë mbështetjen maksimale nga ana ime si ministër”, shtoi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.

Më 10 qershor, gjatë mbajtjes së provimit të dytë të maturës shtetërore në gjuhë angleze u shpërndanë fotografi me pyetje dhe përgjigje nga testi. Drejtuesja e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Bllagica Pavllovska tha për Alsat se ky provim nuk do të anulohet pavarësisht këtij akti pasi, sipas Pavllovskës, nuk bëhet fjalë për teste të marra nga sistemi i Qendrës Shtetërore të Provimeve, por ato janë shpërndarë nga nxënësit pasi ka nisur provimi. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme