Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka thënë se partia që ai drejton propozon që dialogu me Serbinë në Bruksel të udhëhiqet nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa duhet themeluar edhe një komision parlamentar për mbikëqyrjen e këtij procesi të cilit duhet t’i raportojë ekipi negociator.
Ai këto komente i bëri në tryezën e partive politike ku është diskutuar rreth dialogut me Serbinë dhe fuqizimi i republikës parlamentare.
“Duke marrë parasysh që dialogu po merr një agjendë të madhe të politikës, ne kemi propozuar që dialogun ta udhëheqë Kuvendi i Kosovës, themelimi i një komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e dialogut, ku ekipi negociator do t’i raportojë. Nëse mandatohet nga Kuvendi, ky i fundit mund ta shkarkojë këdo. Nuk e dimë se pse po shkohet në dialog. Nuk ka dakordim të subjekteve politike me këtë tekst”, tha ai.
Ahmeti, i cili është kryesues i kësaj tryeze me partitë politike shqiptare, ka bërë të ditur se PDK dhe Nisma kërkojnë konsensus mbi procesin e dialogut, por që nuk kanë dakordim me disa pika.
“Në Kushtetutë nuk parashihet dialog me Serbinë për njohje të dyanshme. Ne jemi republikë parlamentare. Mendojmë se në Kushtetutë është e qartë se Kuvendi duhet ta udhëheqë këtë dialog. Nuk po kërkojmë që të ketë ekip i unitetit, por po kërkojmë që të jemi së paku mbikëqyrës aktiv. Ne po kërkojmë që Kuvendi i Kosovës të jetë bartës, nuk mund të ketë bartës të negociatave pa u caktuar roli i Kuvendit. Qeveria e Kosovës sot është një qeveri minoritare, nuk e ka shumicën e thjeshtë”, tha ai.
Sipas tij, nëse Kuvendi i Kosovës vendos që presidenti Hashim Thaçi të udhëheqë dialogun, atëherë nuk do ta ketë mbështetjen e PSD-së.
“Jo, ne e kemi thënë qëndrimin tonë, ne e kemi thënë që Thaçi nuk e paraqet figurën e unitetit”, tha Ahmeti.