Përmes një kumtese për media, Partia Socialdemokrate ka kërkuar në kuadër të strategjisë së zgjerimit të Bashkimit Europian të përfshihet njohje Kosovës nga pesë vende të BE-së që s’e kanë njohur Kosovën, transmeton Koha.net.
Sipas kumtesës , zgjerimi i Bashkimit Evropian drejt shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet jo vetëm nevojë, por edhe garanci për paqen e zhvillimin rajonal dhe kontinental ndërsa samiti duhet të shërbejë si pikënisje për transformimin e gjithëmbarshëm politik, ekonomik dhe shoqëror të Ballkanit Perëndimor
Kumtesa thotë se “dialogu i dështuar i Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë është para së gjithash rezultat i keqpërdorimit dhe i keqorientimit të tij nga ana e kapësve të shtetit në Prishtinë dhe në Beograd, të cilët e kanë përdorur atë në shërbim të ruajtjes së pushtetit të tyre autoritar. Partia Socialdemokrate konsideron se ky dialog duhet të rimendohet dhe të përfshihet në kuadër të strategjisë së re për zgjerim, duke kushtëzuar negociatat për anëtarësim të shteteve të Ballkanit Perëndimor me njohjen e pavarësisë së Kosovës, e dëshmuar tashmë si faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon. Sovranizimi i Republikës së Kosovës është edhe interes gjeopolitik për ndërtimin dhe konsolidimin e një Evrope të bashkuar, kohezive, sociale dhe funksionale.
Pasi përkujton ndalimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve të Kosovës, kumtesa thekson në fund se mungesa e liberalizimit të vizave për Kosovën ka ndëshkuar qytetarët e saj, e jo politikanët e korruptuar dhe të kriminalizuar të Republikës sonë. Këtij izolimi duhet t’i jepet fund sa më parë, pavarësisht qëndrimeve të shteteve anëtarë të Bashkimit Evropian karshi pavarësisë së Kosovës.