Apple mund të ketë përcaktuar objektivin e saj të ardhshëm të madh: Indinë.
Ndërkohë që ka shumë pengesa në rrugë, po bëhet e qartë se Apple është nga ata që besojnë në transformimin e Indisë.
“Unë shoh shumë ngjashmëri me vendin ku ishte Kina disa vite më parë. Kështu që unë jam shumë, shumë pozitiv dhe shumë, shumë optimist për Indinë”, u tha CEO i Apple, Tim Cook para investitorëve në vitin 2017.
Dhe gjashtë vjet më vonë, Apple sapo ka filluar të shohë frytet e këtij vizioni – ata hapën dy dyqanet e tyre të para në Indi në fillim të këtij viti – dhe ka shumë arsye për të qenë optimistë si kurrë më parë.
Në këtë drejtim, BI, ka sjellë arsyet pse Apple është “kaq e fiksuar” pas Indisë:
Vetëm 5% e telefonave inteligjentë të shitur në Indi janë iPhone
Sipas CNBC, iPhone përbën 5.1% të të gjitha shitjeve të smartfonëve këtë vit në Indi – një shifër “shumë e zbehtë” në krahasim me pajisjet më të lira Android.
Megjithatë, ky hendek tashmë ka filluar të ngushtohet.
Sipas të dhënave të mbledhura nga CNBC, pjesa është rritur shumë nga 3.4% vetëm një vit më parë, dhe shitjet e iPhone u rritën me 50% në atë hark kohor, përcjell Telegrafi.
India gjithashtu tani përbën 4% të të gjitha shitjeve të iPhone, duke e bërë atë konsumatorin e pestë më të madh të telefonave Apple.
Apple nuk ka nevojë të dominojë tregun për të parë rritje të madhe të të ardhurave
Pjesa e Apple në tregun kinez të smartfonëve është ende vetëm 17%.
Megjithatë, pjesa e Apple në Kinë pothuajse u dyfishua nga 9% vetëm tre vjet më parë, dhe Kina përfaqësonte 19% të të ardhurave të Apple në vitin 2022.
Dhe me Indinë që tejkalon Kinën si vendi më i madh në botë për nga popullsia këtë vit, hapësira për rritje është e madhe.
India është e re, me një klasë të mesme në rritje dhe një dëshirë të shtuar për gjëra të bukura
Ndryshe nga Kina dhe popullsia e saj në plakje, India ka një popullsi rinore me një “oreks të madh” për mallrat e konsumit.
Rreth 50% e indianëve janë nën 25 vjeç dhe 65% nuk janë ende 35 vjeç.
Me atë klasë të mesme në rritje vjen një kërkesë më e lartë për teknologji më të shtrenjtë.
Çmimi mesatar i shitjes për një smartphone në Indi është rritur 18% këtë vit, dhe telefonat inteligjentë “premium” tani përfaqësojnë 11% të të gjitha shitjeve, duke kaluar në shifra dyshifrore për herë të parë.
Bërja e më shumë iPhone-ve në Indi do të ishte një tjetër fitore e madhe
Apple po rrit gjithashtu prodhimin e saj në Indi pasi duket se ata janë më pak të varur nga Kina.
“Puna në Kinë tani është e shtrenjtë”, ka thënë për Forbes, Nitin Soni, drejtor i lartë i Fitch Ratings. “Nëse doni të ulni koston tuaj të prodhimit, duhet të zhvendoseni në vende të tjera si India”.
Apple tashmë dominon SHBA-në dhe pjesën më të madhe të botës, por është ende një lojtar i vogël në Indi.
Megjithatë, nëse ekonomia e Indisë mund të qëndrojë në këtë kurs zhvillimi, Apple është në një pozicion shumë të mirë për të qenë “një lojtar i madh“ në vendin më të madh në botë. /Telegrafi/