Pse e duan shqiptarët Erdoganin?

Autor: Murat Mufit Aliu

Një mori pandehmash dhe pyetjesh janë stisur këto ditë mbi interesimin e madh dhe përkrahjen e madhe të shqiptarëve muslimanë për presidentin e Turqisë, Rexhep Erdoganin. Përkrahja masive që është manifestuar në rrjetet sociale ndaj tij, vërtet i ka hutuar shumë ata që duan të jenë të hutuar. Por, jo edhe ata që e aspirojnë të vërteten. Ata që e shohin të vërtetën ashtu si ajo është, pa e deformuar me gënjeshtra e propagandë, e dinë pse u shpreh nga shumë shqiptarë gjithë ajo përkrahje për presidentin e Turqisë.

Arsyeja kryesore e kësaj përkrahjeje masive dhe ngulmuese ka të bëjë me qëndrimin e këtyre shqiptarëve ndaj liderëve shqiptarë, intelektualëve dhe medieve islamofobike shqiptare. Duke e përkrahur Erdoganin, ata e kanë shprehur qëndrimin për politikanin dhe intelektualin shqiptar që është muslimanurrejtës dhe që retorikën antiislame e shfrytëzon për të bërë karrierë. (Gjithsesi ka shprehur qëndrim edhe për shumë medie shqipe, të cilat duke qenë altoparlant i islamofobisë, prodhuan dezinformata dhe gënjeshtra të shumta lidhur me ngjarjet e fundit në Turqi.)

Fatkeqësisht, ka vite që në trojet shqiptare është në veprim ajo mundësi për të cilën fliste dikur Dizraeli: “Orienti është karrierë”, por në realitetin e sotëm shqiptar e modifikuar si: “Antiislami është karrierë.” Ka vite që shumë politikanë, intelektualë, gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile, janë bërë deputetë, ministra, ambasadorë, etj., vetëm pasi kanë zbrazur batare sulmesh e fyerjesh kundër fesë islame dhe kundër muslimanëve. Ata kanë bërë dhe po bëjnë karrierë e para (e fundit është një prej tyre, që sapo u emërua ambasadore!), por shtrohet pyetja se çfarë pasojash ka prodhuar kjo shfryrje e pakontrolluar islamofobike? Shfryrjet e tyre muslimanurrejtëse i kanë mërzitur shumë njerëz dhe gradualisht i kanë tjetërsuar, duke i detyruar të shkëputen prej këtyre elitave dhe medieve, sepse nuk kanë pasur dëshirë të dëgjojnë se si u fyhet vazhdimisht besimi fetar. Pas asaj shkëputjeje prej figurave politike e medieve vendore, figura më e afërt për ngushëllim ka qenë ajo e Erdoganit, një lideri karizmatik, i cili ka shprehur haptas përkrahjen për Kosovën, për Shqipërinë dhe Maqedoninë, për shqiptarët në përgjithësi. Mund të debatohet pa fund se a ka qenë dhe a është kjo përkrahje më shumë verbale, se sa konkrete, a ka qenë më shumë për njërin apo për tjetrin, por perceptimi ka qenë dhe mbetet që Erdogani është përkrahës i shqiptarëve dhe me atë përkrahje edhe mbrojtës i lirive dhe i të drejtave fetare të shumicës së shqiptarëve, që i përkasin besimit islam e që janë nën presion permanent islamofobik nga elitat dhe mediet shqiptare. Pra, dominon perceptimi i fuqishëm se Erdogani është një mbrojtës i vendosur i vlerave islame edhe ndër shqiptarë, në kundërshtim me shumë politikanë, intelektualë e gazetarë shqiptarë që sulmet ndaj fesë islame, i kanë shndërruar në profesion, në karrierë. Në këtë kontekst, nuk duhet të lihet jashtë vëmendjes fakti se kur është fjala për identifikimin fetar, secili komunitet fetar identifikohet me instancat që e përfaqësojnë atë komunitet fetar. Fjala vjen, katolikët shqiptarë identifikohen me Vatikanin, serbët e Kosovës me Kishën Ortodokse Serbe, e kështu me radhë. Shqiptarët muslimanë, si edhe të gjithë muslimanët e botës, nuk kanë një instancë zyrtare të identifikimit fetar, por duke qenë nën një presion të fortë islamofobik, kanë filluar ta kërkojnë një instancë të tillë përkrahjeje fetare te Turqia dhe lideri i saj karizmatik. Në fakt, kjo prirje e ka edhe një mbështetje në përvojën historike, pasi Turqia është shteti pasardhës i Perandorisë Osmane, e cila për disa shekuj e ka mbajtur skeptrin e hilafetit, nën të cilin kanë dituar edhe shqiptarët. Nga ky aspekt, kjo do të thotë se komuniteti musliman shqiptar ka një kujtesë të fortë historike dhe fetare. Gjithsesi, presidenti Erdogan, me botëvështrimin e tij dhe me karizmën e tij, e ka ushqyer një pritshmëri të tillë, jo vetëm tek shqiptarët muslimanë. Tjetër temë është se sa kjo pritshmëri është reale e sa nuk është. Por, pritshmëria e tillë ka qenë dhe mbetet, veçmas në kontekstin e pandryshuar të një klime islamofobike në radhët e elitave politike, intelektuale e mediale shqiptare.

Të fyer e të poshtëruar (ky është edhe titulli i një vepre të Dostojevskit) nga sulmet e përditshme të islamofobëve të hakërryer, që nxiten edhe nga qarqe jashtëshqiptare, një pjesë e mirë e shqiptarëve muslimanë e kanë krijuar idenë se mbrojtja e tyre nga sulmet dhe poshtërimi permanent, do të jetë mbështjetja më e madhe tek Erdogani. Kjo është gjendja reale e gjerave, kjo është arsyeja kryesore e përkrahjes masive për Erdoganin. Pra, presioni islamofobik po i detyron shumë shqiptarë të besimit islam, që të kërkojnë azil nga dhuna psikologjike, duke u mbështetur në shpresën se do t’ua lehtësojë gjendjen udhëheqësi i fuqishëm turk. Gjithsesi, këta shqiptarë që e përkrahin dhe identifikohen me Erdoganin, në këtë stad nuk kanë ardhur as rastësisht, as spontanisht. Nuk kanë ardhur këtu nga ndonjë sentiment i veçantë për Perandorinë Osmane, as për hilafetin. Këtu kanë ardhur, në përpjekje që të gjejnë derman nga sulmet e hakërryera islamofobike të liderëve, intelektualëve dhe mediave shqiptare, veçmas në decenien e fundit.

Sigurisht, përkrahja e shtuar ditëve të fundit ka të bëjë edhe me ndjenjën e drejtësisë, pasi presidenti Erdogan dhe qeveria e tij, që janë zgjedhur në mënyrë demokratike, ishin të kërcënuar nga një puç ushtarak, i cili në çdo rast është e kundërta e demokracisë, është një akt i papranueshëm. E mira është që ajo përkrahje e shtuar e ditëve të fundit, të mbetet si solidarizim me Erdoganin dhe si qëndrim refuzues ndaj puçit, por të mos tingëllojë si përzierje në skenën e brendshme politike të shtetit turk. Erdogani dhe qeveria turke as që kanë nevojë për këtë gjë. Triumfi i shpejtë i Erdoganit mbi puçistët, me ndihmën masive dhe vendimtare të kombit turk, tashmë i ka dhënë atij edhe oreolin e një udhëheqësi guximtar dhe të pathyeshëm, gjë që gjithsesi do ta rritë edhe më shumë identifikimin me figurën e tij gjithandej ndër muslimanët e botës. Pra, edhe tek ne. Tek ne së paku deri sa liderët tanë të pushojnë së fyeri ndjenjat fetare të shumicës së shqiptarëve, duke e shfrytëzuar islamofobinë për karrierë.

*Autori është doktorant i Shkencave Politike në Universitetin e Stambollit

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme