Gjithnjë e më shumë fëmijët në ditët e sotme shmangin të flasin dhe lexojnë në gjuhën shqipe, duke e zëvendësuar me anglishten. Sipas autores së librave për fëmijë, Rudina Çupi, e cila ishte e ftuar në emisionin Ditë e Re në Alsat, kjo vjen si pasojë e prindërimit jo adekuat, të cilët nuk janë shumë prezent tek fëmijët, por edhe për shkak të përdorimit të tepërt të teknologjisë, ku fëmijët dëgjojnë dhe flasin në gjuhën angleze.
“Po shikojmë me sy shumë shqetësues jo vetëm mos leximin e gjuhës shqipe por edhe të mos praktikuarit të folurit në gjuhën shqipe në jetën e përdithme. Ka ndryshuar shumë prindërimi, shumë veta e thonë dhe e mendojnë se ësht një dukuri shqetësuese që pridërimi ka përfunduar në një telefon ose tablet që i lë fëmijës. Prania e prindit është shumë e domosdoshme, dhe mos prania e tyre bënë që fëmija të devijojë në një fushë tjetër dhe shumë nga prindrit i drejtohen psikologëve për të kërkuar ndihmë, kur në fakt problem është vetë mungesa e prindërit.”
Çupi theksoi se fëmijët kur i dërgojmë në klasë të parë, kanë vështirësi të flasin dhe shkruajnë në gjuhën shqipe sepse që në mosha të hershme mësojnë anglisht. Ajo tha se teknologjia ka ndikuar tek kjo, sepse në pajisjet tona nuk është e përfshirë gjuha shqipe.
“Problemi fillon kur fillojnë në klasë të parë, kur duhet të mësojnë të shkruajnë, dhe ato e mendojnë njëherë në anglisht sepse ashtu janë mësuar nga telefoni dhe më pas e përkthejnë nga anglishtja në shqip. Për mua nuk do ishte problem nëse pajisjet do ishin në shqip dhe fëmijët do shfletonin në shqip edhe në pasjisjet e tyre, por kjo nuk ekziston. Duke mos pasur këto burime kryesore teknologjike, nuk ka autorë, në një far mënyre do bëhet edhe më keq. Është shumë e vështirë nëse fëmijët nga 2 deri në 7 vjet e ke mësuar të dëgjojë dhe flasë shqip, mos prit që në klasë të parë të dijë ti bëjë detyrat vetë.”
Çupi shtoi se në listën e gjërave të përditshme që bën një fëmijë, leximi i një libri është në fund të listës ose ndonjëherë nuk është fare në listë. Ajo tha se ekzistojnë libra për fëmijë, për fillestarë të cilët do të ndihmojnë fëmijët të krijojnë fjalor dhe të mësojnë të lexojnë dhe shkruajnë në shqip.