Pse jemi kaq ‘të pa fat’?!

Nga Enver Bytyçi

Thonë se po të mos ishte hidhërimi, njerëzit nuk do të dinin të gëzonin. Por ne shqiptarët nuk dimë as të hidhrohemi, as të gëzohemi, nuk na është dhënë mundësia ta shijojmë as njërën, as tjetrën në mënyrën si duhet shijuar. Ose kalojmë në ekstazë me mendimin se “kapëm qiellin”, ose “biem në koma” apo egërsohemi si çakejtë kur në vend të kapjes së qiellit biem në humnerë.

Kështu po ndodh me integrimin. E ndjeja se rekomandimi i Komisionit Europian për çeljen e negociatave do të prodhonte një ose më shumë veto. Parashikoja Hollandën dhe Greqinë. Por nuk e besova në asnjë rrethanë se do zbrisnim nga qielli i shtatë në botën e ferrit nga refuzimi i Berlinit. Hollanda është gjithnjë e prirur për të kërkuar standarde e mos bërë lëshime gjeopolitike. Ajo po vuan krizën e refugjatëve që I shkojnë nga Shqipëria. Me Greqinë dukej se qeveria jonë po sillet keq, jo për të zgjidhur mosmarrëveshjet, por për ta detyruar atë t’i thoshte “JO” integrimit të Shqipërisë e më pas të fillonte fushata e radhës nacionaliste e zotit Rama, i specializuar më shumë se çdo lider tjetër shqiptar e europian për një lloj makiavelizmi të tillë.

Por nuk priste askush një “shuplakë” kaq të fortë të asaj që konsiderohej si “mike e afërt” e kryeministrit shqiptar. Shtatë kushte, “shtatë shuplaka”, më të fuqishme se ato 1 milion shuplakat e 23 qershorit 2013. Domethënë shuplakat u kthyen e qëllojnë “të zotin”, atë që me shumë zell u përpoq të gjuajë kundër opozitës, kundër shoqërisë civile, kundër kazanëve të medias, kundër politikanëve të majtë e të djathtë, kundër të gjithë atyre që nuk i kapte rrezja e mendimit të lartë të udhëheqësit tonë botëror, nëse citojmë kryeministrin serb, Aleksandër Vuçiç.

Këto shtatë kushte, të cilat Vlahutin, Mogerini e të tjerë në Bruksel nuk i cilësuan si kushte, erdhi dhe ia shprehu në zyrën e tij kryeministrit tonë vetë kreu i komisionit parlamentar për çështjet Europiane në Bundestagun Gjerman dhe përfaqësues i grupit më të madh parlamentar në Bundestag, Gunther Krichbaum. Në një konferencë për shtyp në Tiranë Krichbaum tha hapur se me arritjet e deritanishme të Shqipërisë grupi i tij parlamentar CDU nuk do të miratojë hapjen e negociatave me Shqipërinë. Ai renditi një e për një detyrat e shtëpisë për politikën dhe qeverinë shqiptare, me qëllim që Shqipëria të kapë trenin e vitit 2018 sa i përket udhëtimit të saj për në BE.

Kushti i parë ka të bëjë me reformën në administratën publike, kushti i dytë me reformën në drejtësi, e cila, sikurse thotë dokumenti, duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të plotë me qëllim forcimin tërësor të nivelit të profesionalizmit dhe integritetit në fushën e drejtësisë. Ndërsa kushti i tretë thotë se duhet shënuar arritje e qëndrueshme në luftën ndaj korrupsionit nëpërmjet Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, e cila të jetë e pavarur nga kontrolli dhe ndikimi i politikës. Kushti i katërt adresohet te lufta kundër krimit të organizuar me qëllim që të forcohen dukshëm përpjekjet për luftën ndaj krimit të drogës. Kushti i pestë ka të bëjë me atë që konsiderohet “prioriteti kyç” në fushën e të drejtave të njeriut, masave kundër diskriminimit dhe realizimit të së drejtës së pronës. I gjashti lidhet me zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it në lidhje me reformën zgjedhore. Dhe kushti i shtatë ka të bëjë me ligjin për Dekriminalizimin e Parlamentit dhe institucioneve qendrore e vendore, i cili, siç thotë dokumenti, duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme e të plotë.

Këto ishin detyrat e shtëpisë, pavarësisht se ne jëmi mësuar pa detyra, rrumpallë, pa asnjë përgjegjësi tonën. Na mjafton të na thonë se “jemi liderë modernë”, që “dijmë rrjedhshëm anglishten”, se “jemi liderë më të mëdhenj se ata të Athinës, Beogradit, Shkupit e Podgoricës”, dhe e konsiderojmë veten të denjë për të qenë anëtar me të drejta të plota të klubit europian. Standardet?! Kujt i plasi për to. Kur nuk e “çajmë rrugën europiane më shpatë në dorë”, fillojmë dhe gjejmë armiq jashtë nesh. Opozita përshembull është stacioni i parë i sulmit të qeverisë. Më pas vijnë politikat e gabuara elektorale të Merkel. Më vonë “rreziku amerikan e panglobal” i Trump. Dhe kështu me radhë. Nëse kemi miq personal, si Stphan Fuele, ata i bëjmë heronjtë tanë, madje i imponojmë edhe si heronj të Shqipërisë. Nëse nuk mbështesin qeverinë, atëherë automatikisht ata etikohen si “armiqtë e Shqipërisë”. Si në diktaturë: Kush është me qeverinë është edhe me Shqipërinë. Kush është kundër qeverisë, është njëkohësisht kundër Shqipërisë. Sorosi psh është me qeverinë. Automatikisht i bie që “të jetë edhe me Shqipërinë”!

Një ditë pas konferencës për shtyp të Krichbaum kryeministri Rama akuzoi kreun e opozitës, se “kap skutave deputetë të huaj për të share e për të bllokuar Shqipërinë dhe i bëri thirrje që të lexojë rekomandimin e qartë të BE-së dhe të çbllokojë Vetingun”. Sipas tij, Basha imponoka vendimet e qeverisë dhe Bundestagut gjerman. Duhet të jesh naiv, po naiiiiv ama”, të besosh se Merkel “merrka urdhëra nga Basha!”. Nga ana tjetër i bie që tashmë Merkel nuk është më mikeshë e Ramës, por “mikeshë e Bashës”. Çfarë ironie! Çfarë paradoksi! Çfarë t’i themi kësaj, xhelozi adoleshentësh?!

Ndërkohë në logjikën e kryeministrit tonë Bundetagu gjerman dhe qeveria gjermane po vepruakan sipas klientelës!!! Si nuk e mësoi njëherë zoti Rama se sa serioze, sa e përgjegjshme, sa institucionale, sa argumentuese dhe sa europiane është politika gjermane?! Mos ndoshta i mendon të tjerët me masën e mendjes së tij?! Eshtë një autogol i madh për vendin tonë në raportet me Europën kur përmend konjukturat elektorale. Gjermania nuk është Shqipëri! Fushata elektorale në Gjermani nuk zhvillohet në Bundestag, siç e zhvillojnë politikanët tanë në këtë parlamentin tonë të përçudnuar. Gjermania merr vendime mbi bazën e ekspertizës, ajo bën ekzaminime, hulumton në thellësitë e arkivës dhe nuk merr vendime konjukturale, aq më pak vendime personale. Këto ndodhin vetëm në kanabistanin tonë. Nuk ndodhin në vendet me demokraci liberale të zhvilluar e funksionale. Fushata elektorale në Gjermani zhvillohet vetëm në kufijtë ligjorë kohës së saj dhe me maturinë e një politike të përgjegjshme për vendin, me argument e alternative. Asnjëherë nuk ndodh që lufta politike të personalizohet si këtu te ne.

Por standardi i kryeministrit nuk është loja politike, është personalizimi i politikës, sepse vetëm në këtë mënyrë ai i frymëzon militantët dhe mbulon dështimet e qeverisjes. Nëse do të diskutohej për alternativë, atëherë nuk krijohen mundësi reale për të fshehur të vëertatat e hidhura, si ato që përmendi Krichbaum, përkeqësimi i situatës së trafikut të drogës dhe luftës kundër krimit të organizuar. Bëhet fjalë për “përkeqësim”, ndërkohë që edhe stanjacioni ose përmirësimet e pakta do ta ngarkonin me përgjegjësi qëeverinë.

Nga e gjithë kjo situatë e krijuar duhet të vijmë te përgjigja e një dileme alternative: A është më mirë të hapim negociatat e të shkojmë në Europë pa realizuar standardet, kështu siç jemi, apo të plotësojmë standardet dhe më pas të integrohemi në BE?! Argumenti im shkon në favor të alternativës së dytë. Edhe Brukseli parapëlqen këtë alternativë, sepse në rastin e Bullgarisë, Rumanisë dhe Qipros, të cilat i pranoi bashkë me problemet që ato sollën për BE-në, po paguan një kosto të lartë. Por kostoja shkon edhe te vendet e pranuara pa meritë. Kështu ka ndodhur edhe me Greqinë, ndaj sot ajo është në ankand. Atëherë pse u dashka që vendi ynë të pranohet në BE pa standarde?! Pse u dashka që deputetët e administratorët e inkriminuar shqiptarë të udhëheqin negociatat me Brukselin, në vend që këto negociata t’i udhëheqin njerëzit me dinjitet dhe integritet?! Që kur zoti Rama dërgoi në Bruksel për të biseduar për integrimet Taulant Ballën duhej ta mendonte se BE do të ndjehej e turpëruar nga prania e tij në një tavolinë pune me Johannes Hahn. Kush mund ta pranojë këtë në BE? Po pse duhet ta pranojnë një paradoks të tillë shqiptarët?! Prandaj Krichbaum në emër të Bundetagut gjerman tha “Bëni dekriminalizimin”, jo sipas shijes së Lu-së dhe Vlahutin, as të Sorosit dhe zotit Rama, por sipas standardeve europiane e amerikane. Nëse shqyrtojmë këtë kërkesë, atëherë pse duhet të fajësojmë Europën? Pse duhet të fajësojmë gjithashtu opozitën, kur kërkon që sistemi të mos kapet nga politika?! Ky është njëkohësisht interesi i shqiptarëve. Shqiptarët nuk kanë interes të dërgojnë në parlamentin europian deputetë të hurit e të litarit, me kobure në brez. Po kështu europianët.

Po le të ndalemi dhe te kërkesa për zgjedhje të lira, të drejta e të ndershme. Demokracia liberale ka si kusht themelor legjitimitetin e plotë të qeverisjes. Ndryshe nuk bëhet fjalë për liri e të drejta të njeriut, as për shtet të së drejtës. Dhe nuk është interesi i shqiptarëve të zvarriten me dekada e pa fund nga një oligarki pushtetarësh që vijnë në krye të pushtetit me vota të vjedhura, të blera e të manipuluara. Nuk është interesi i shqiptarëve që të zgjedhin një qeverisje që ata i diskriminon, i varfëron, ndërkohë që favorizon e pasuron oligarkët. Europianët janë më të ndjeshëm ndaj këtyre fenomeneve sesa jemi ne shqiptarët. Ne me zgjedhjen tonë e kemi toleruar dhunën diskriminuese të pushtetit, ndërsa dhunuesit janë thartuar nga refizimi i këtyre praktikave nga ana e partnerëve europianë. Shembulli është Turqia. Për 11 vite ajo zhvillon diskutime për t’u pranuar në BE, por me standardet i largohet vazhdimisht asaj. Dhe përfitoi anullimin e këtyre bisedimeve. A ka garanci që Shqipëria nuk do ta pësojë të njëjtin fat, nëse bisedimet happen në mënyrë të pamerituar?!

Nuk ka më mirë sesa të shkojmë në Bashkimin Europianë si europianë, çka do të thotë me ekonomi të zhvilluar, me rritje të të ardhurave në mënyrë të kënaqshme, me papunësi të ulët, si dhe pa kanabis, pa droga të forta, pa grupe kriminale, pa bashkëpunim të segmenteve të shtetit me krimin, pa kriminelë gjobvënës, pa trafiqe, pa diksriminim në tendera, në biznes, në pjesmarrje, në iniciativën e lirë, në arsimim, në shëndetësi, në trajtimin social, në punësim e kështu me radhë. Shumë herë më i rëndësishëm për shqiptarët është të luftojnë për shtetin e së drejtës, sesa për integrimin e pamerituar në Bashkimin Europian. Në fund të fundit anëtarësimi në NATO dhe liberalizimi i vizave e plotësojnë vokacionin tonë perendimor, pavarësisht vonesave në anëtarësimin në BE.

Anëtarësimi në BE është e duhet të jetë meritë, produkt i standardeve të larta të qeverisjes në tri pushtetet, atij legjislativ, atij ekzekutiv dhe atij gjyqësor. Kryeministri ynë betejën e ka me gjyqësorin dhe me opozitën e pabindur. Se me arësyetimin e Majlinda Bregut, sipas së cilës “Nuk çelen bisedimet e anëtarësimit gjashtë muaj para zgjedhjeve”, ai është dakord, pasi ky arësyetim i opozitares Bregu e relativizon përgjegjësinë e qeverisë e të qeverisjes. Por nuk është kështu. Në gjendjen që është sot Shqipëria, ku mungon shpresa te njerëzit, të cilët kanë marrë arratinë dhe duan të ikin natën nga ky vend, nuk është koha parazgjedhore dhe fushata elektorale në Shqipëri që pengon hapjen e bisedimeve me Brukselin.

Lumturimi i para disa ditëve u shua nga “zhgënjimi gjerman”, nga refuzimi i Bundestagut, për shumë arësye. Kryeministrit do t’i mungojë dekorata e Legjionit Europian dhe këtë do ta vuajë gjatë, por atij iu dogj dhe karta e përdorimit të Greqisë si fajtore e vetme e mosçeljes së këtyre bisedimeve. Një mundësi e artë kjo për t’u shitur si nacionalist i madh para shumë njerëzve, përfshirë dhe analistëve trutharë afër tij. Kështu ne jemi të gjithë pa fat, por fathumburi më i madh mbetet kryeministri ynë namëmadh dhe kriminelët që atë e rrethojnë, sepse bashkë me dështimin e qeverisë ka shanse të dështojnë dhe kriminelët në veprat e tyre kriminale.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme