Pse Kosovës i rrezikohet përsëri shtyrja e liberalizimit të vizave?

Me githë pajtimin e Ramush Haradinajt që raporti i Bulliqit të përmendet vetëm si dokument orientues në Projektligjin për demarkacionin dhe pajtimit ndërpartiak që Kuvendi i Kosovës ta ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin të nënshkruar në Vjenë me deklaratën e presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi, nëse kjo nuk ndodh brenda muajit shkurt, procesi i liberalizimit të vizave mund të shtyhet përsëri. Cila është arsyeja?
Entuziazmi që i kaploi liderët gjatë fundjavës, kur Ramush Haradinaj bashkë me Behgjet Pacollin dhe Kadri Veselin i thanë po kërkesës së LDK’së, që në Projektligjin për demarkacionin raporti i Bulliqit të shërbejë vetëm si orientim, mund të rezultojë i kotë nëse Kuvendi i Kosovës nuk e ratifikon marrëveshjen brenda muajit shkurt.

Një diplomat evropian i akredituar në Prishtinë, duke folur për Gazetën Express, në kushte anonimiteti ka thënë se Kosova “mund ta humbë trenin” për liberalizimin e vizave, nëse Kuvendi nuk e miraton Marrëvshjen e demarkacionit me Malin e Zi, që është një nga kushtet e mbetura që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave.

Arsye për këtë është që, nëse ndodhin shtyrje të reja, Kosova nuk do të përfshihet në procedurat burokratike që do të nisin menjëherë pas vizitës së zyrtarëve të lartë të BE’së në Kosovë, kryekomisionerit Junker, kryediplomates Federica Mogherini dhe komisionerit për Zgjerim Johannes Hahn.

“Nëse partitë politike duan që çështja e liberalizimit të futet në dokumentet e BE’së ku liberalizimi i vizave rekomandohet gjatë Samitit të BE’së në fund të qershorit, atëherë Kuvendi duhet ta miratojë demarkacionin gjatë këtij muaji. Zvarritja e mëtejme e humb këtë afat”, ka thënë ky zyrtar.

“Vizita e Presidentit të KE’së Junker, Mogherini dhe Hahn të mërkurën do të ishte momenti idel që këta zyrtarë të lartë të BE’së ‘të marrin shënim’ se Kosova e ka miratuar demarkacionin. Nëse humbet ky afat, atëherë Kosova rrezikon ta shtyjë liberalizimin e vizave edhe pas vitit 2020-2021, pas kësaj BE s’do të ketë kohë për Kosovën, por do të merret me Brexit”, ka thënë zyrtari evropian për Express.

Edhe pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Veselit, Pacollit, Haradinajt dhe Hotit, nuk ka vota të mjaftueshme për ratifikimin e demarkacionit. Aktualisht janë 78 vota nga 80 votat e kërkuara. Kryeparlamentari Veseli ka thënë se demarkacioni do të miratohet të mërkurën pasi do të votojë edhe ndonjë deputet i VV’së, por zëvendëskryeministri Pacolli ka dhënë një informatë tjetër, duke thënë se demarkacioni do të ratifikohet në muajin mars. Lista Srpska tashmë është pozicionuar kundër./Gazeta Express/

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme