Shumë shpejt pritet që rreth 3 mijë punëtorë të PTK’së të mbesin pa punë. Pasurinë e tyre në vlerë prej 30 milionë euro pritet ta marrë Blerim Devolli i cili e ka fituar edhe shkallën e dytë të Arbitrazhit ndërkombëtar në një kontest me PTK’në.
E gjithë kjo dyshohet se është një skemë mafioze e përpunuar me kujdes në mes Blerimit dhe klasës politike në Kosovë.
Ajo që pritej të ndodhte, ndodhi. Pronari i Kompanisë Zmobile, Blerim Devolli, e ka fituar edhe shkallën e dytë të një arbitrazhi ndërkombëtar të mbajtur në Londër kundër Postës dhe Telekomit të Kosovës.
Sipas kësaj gjykate, Z Mobile do t’i marrë nga PTK si dëmshpërblim për mospërmbushje të kontratës rreth 30 milionë euro.
Kjo është e mjaftueshme sa për ta gjunjëzuar kompaninë më të madhe publike në Kosovës, PTK’në, ku punojnë rreth 3 mijë punëtorë.
Z mobile që në krye të herës ishte një kompani e ndërtuar me prapavijë kriminale. Për shkak të fuqisë së tij ekonomike Blerim Devolli e kishte detyruar PTK’në për ta lidhur një marrëveshje e cila në mënyrë të padrejtë e detyronte PTK’në që ‘Devollin’ ta bënte bashkëpronar ilegal të profitit të saj.
Mirëpo Devolli nuk u ngop me kaq, ai tash po kërkon edhe 30 milionë euro të tjera sepse PTK nuk i ishte përmbajtur kontratës iniciale. Kjo gjë, pra mosrespektimi i kontratës, dyshohet që ka ndodhur qëllimisht, vetëm sa për t’i mundësuar Devollit të drejtën për t’u ankuar në Gjykatën Ndërkombëtare.
Këto janë praktikat e njohura mafioze të realizuara me sukses në disa vende afrikane dhe në disa vende dhe republika ish-sovjetike.
Sipas këtyre praktikave shteti humb qëllimshëm kontekstet juridike me gjykatat ndërkombëtare përballë kompanive private, e që më vonë zyrtarët shtetëror e ndajnë profitin me pronarët e kompanive private.
Kjo është komunikata e Gjykatës së Arbitrazhit me të cilën Z Mobile shpallet fituese
Gjykata e Lartë Angleze, me seli në Londër, ka hedhur poshtë ankesën e Telekomit të Kosovës ndaj vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit të Odës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC), është bërë e ditur sot nga kjo gjykatë. Me anë të një njoftimi thuhet se “gjykatësi ka gjetur se paraqitësi i ankesës, përkatësisht Telekomi i Kosovës nuk ka bazë për ankesë dhe se Vendimi i Tribunalit mbetet në fuqi. Përveq tjerash Gjykata e Lartë Angleze ka caktuar masën e kompenzimit të shpenzimeve dhe për këtë rast ndaj Dardafon.net L.l.c, në shumën prej 65 mijë funtesh”, thuhet në njoftimin. Tribunali i Arbitrazhit të ICC-së, pas procedurës që ka zgjatur prej 2 vitesh, në dhjetor të vitit të kaluar, ka konstatuar shkelje të detyrimeve kontraktuese nga ana e Telekomit të Kosovës. Vendimi për shkelje të kontratës, i vërtetuar nga ICC-a, konsiston në katër pika themelore, për të cilat arbitrat ndërkombëtarë kanë gjetur shkeljet nga Telekomi i Kosovës:
– Mosfurnizimi me SIM Kartela
– Mosfurnizimi me numra
– Mosofrimi i shërbimeve 3G dhe 4G, si dhe
– Ulja e cilësisë së shërbimeve.
Mohimi i këtyre shërbimeve të parapara me kontratë e ka bërë të pamundur funksionimin normal të një kompanie që ofron shërbime të telekomunikacionit.
Telekomi i Kosovës deri më tash nuk e ka bërë asnjë hap përpara në respektimin e kontratës bazë me Dardafon.net L.l.c , e as nuk ka respektuar vendimin e Arbitrazhit të ICC-së. Pas hudhjes poshtë të ankesës me edhe një vendim gjyqësor ndërkombëtar, të cilës i ishte drejtuar vetë Telekomi i Kosovës, ne presim që të respektohen vendimet sa më shpejtë, në mënyrë që klientët tanë të mos vazhdojnë të humbin nga mungesa e shërbimeve.
Siç e kemi cekur edhe herën e parë, ne, përgjatë gjithë këtyre viteve të vështira, me humbje tepër të mëdha, kemi bërë përpjekje maksimale që të mos e mbyllim kompaninë.
Tribunali i Arbitrazhit të Odës Ndërkombëtare të Tregtisë, e përzgjedhur nga palët kontrakuale gëzon reputacionin si një ndër insitucionet më të besueshme të arbitrazhit për zgjidhjen e kontesteve komerciale në nivel ndërkombëtar. Dëshirojmë të theksojmë sërish se ne gjatë gjithë kohës kemi shpresuar se mosrespektimin e kontratës do ta zgjidhin me mirëkuptim të drejtpërdrejt nga Telekomi i Kosovës dhe se asnjëherë nuk e kemi dëshiruar që për këtë kontest t’ i detyrohemi të kërkojmë drejtesi prane arbitrazhit ndërkombëtar. Ne shpresojmë që vendimi i ICC-së, si dhe tash vendimi i Gjykatës së Lartë Angleze, do ta rikthejë normalitetin në marrëdhëniet ndërmjet dy kompanive me partneritet të mirëfilltë e profesional.
Përfundimisht, përshëndesim edhe ata klientë tonë, të cilët edhe përkundër pamundësisë për të operuar normalisht në tregun e telekomunikacionit – na kanë mbetur besnikë. Gazeta Express