Telekomi i Kosovës e ka përmbyllur zyrtarisht kapitullin që i kushtoi humbje milionëshe me kompaninë Z-Mobile të udhëhequr nga Blerim Devolli. Për 10 vite të plota, sa zgjati kontrata e bashkëpunimit, kompania publike për pak sa nuk u përball me falimentim, derisa, nga Devollët u dërgua edhe te përmbaruesi për borxhin e arbitrazhit. Gazeta Express ka siguruar vendimin ekskluziv që është marrë dje nga Bordi i Drejtorëve.
Bordi i Drejtorëve të Telekomit kanë vendosur dje në një mbledhje që ka zgjatur më shumë se tetë orë që marrëveshja me Dardafon të mos vazhdohet më tutje. Gazeta Express ka siguruar ekskluzivisht vendimin që hyn në fuqi sonte.
Sot hynë në fuqi vendimi i marrë nga Bordi i Drejtorëve të Telekomit, për përfundim të marrëveshjes me Z-Mobile të Devollëve, e mos vazhdim të saj.
Gazeta Express ka siguruar ekskluzivisht këtë dokument ku thuhet se në takimin që është mbajtur dje është marrë vendim që negociatat të shpallen të pasukseshme dhe që të përfundojë çdo raport kontraktues në mes të Telekomit dhe Dardafonit.
Gjithashtu thuhet se kryeshefi ekzekutiv, Bedri Istrefi do të shpallë publikisht përfundimin e negociatave e të çdo raporti kontraktues në mes të dy kompanive me 31 korrik 2019, në të njejtën datë kur për përfundim të marrëveshjes do të njoftojë zyrtarisht edhe Dardafonin. I njejti vendim hynë në fuqi sot.
Telekomi dhe Z Mobile kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009 me të cilën kompania e Devollëve bëhej operator virtual i Telekomit.
Mospajtimet mes këtyre palëve përfunduan në Arbitrazh. Si rrjedhojë, këtë vit, 10 vite pas marrëveshjes, Telekomi gjendet para një borxhi rreth 26 milionë eurosh ndaj Z Mobile.