Orët e fundit të jetës së saj, 30-vjeçarja Liridona Ademaj, i kaloi në shoqërinë e bashkëshortit të saj, Naim Murseli dhe dy fëmijëve të tyre, 4 dhe 6-vjeçar. E ndjera nuk e kishte idenë se darka në restorantin ‘Etno Kuca’ në Graçanicë, do të ishte e fundit për të. Pak orë më vonë, ajo dyshohet se u vra me armë zjarri nga tashmë i arrestuari, Granit Plava. Ky i fundit, dyshohet se armën drejt Liridonës e shkrepi me porosi të Naimit, i cili dyshohet se pagoi 30 mijë euro për ta privuar nga jeta bashkëshorten.
Janë publikuar pamje ekskluzive nga nata kritike në restorantin ku po darkonin familja Murseli.
I pranishëm në kohën dhe restorantin e njëjtë, dyshohet të ketë qenë edhe i dyshuari për vrasjen, Granit Plava.
Pas përfundimit të ndejës së tyre, Naimi bashkë me Liridonën dhe fëmijët janë nisur me veturën e tyre, deri kur arritën në rrugën ‘Dalip Alshiqi’ e ku gjoja u kanë dalë në pritë grabitësit e armatosur, që në fakt ishte Plava, i cili dyshohet se e qëlloi nga afërsia Liridonën me plumb në qafë.
Darkën para tragjedisë, e ka përmendur edhe babai i të ndjerës, Hajdar Ademaj, i cili ka deklaruar se para se të nisej për në Prishtinë, Liridona kishte qëndruar për vizitë te familja e saj në Gjakovë.
Ademaj tha se Liridona e kishte njoftuar se bashkë me Naimin do shkojnë për të ngrënë bukë në Graçanicë.
Lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt deri tani janë arrestuar katër persona, në mesin e tyre është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Të dyshuarit janë dërguar në paraburgim për 30 ditë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.