Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja për Bashkim (LB), Aurora Bakalli, dyshohet se është pranuar si asistente në Fakultetin e Mjekësisë duke i shkelur rregullat e Statutit të UP-së.
Pas mbylljes së konkursit ajo kishte doktoruar, dhe po atë diplomë e kishte sjellë si plotësim të dokumentacionit, për të cilën ekspertët e arsimit thonë se nuk ka pasur të drejtë.
Madje në Rektorat thonë se nuk lejohet dorëzimi i dokumenteve pas mbylljes së konkursit.
Ish-deputetja Aurora Bakalli dyshohet se është punësuar në mënyrë të diskutueshme në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, para më shumë se katër vjetësh.
Bakalli, që atëkohë ishte deputete e Lëvizjës për Bashkim, kishte kaluar barriera ligjërisht të pakapërcyeshme për t’u punësuar në universitet.
Tejkalimi i tyre bie ndesh me statutin e Universitetit të Prishtinës. Ishte kriteri i moshës dhe dorëzimi i diplomës së doktoraturës tek komisioni vlerësues pas mbylljes së konkursit.
Tek kriteri i moshës, Universiteti i Prishtinës ndonëse konkursin e kishte hapur bazuar në statutin e vjetër, shpalljen e fituesit e kishte bërë bazuar në rregullat e statutit të ri.
Juristët pohojnë se UP-ja është dashur të përmbyll konkursin, bazuar në rregullat e statutit të vjetër e jo të “ndryshojnë rregullat në mes të lojës”.
Por, Universiteti i Prishtinës ndonëse kishte hapur konkursin bazuar në statutin e vjetër, vlerësimin e kandidatëve e kishte bërë duke u bazuar në rregullat që përcaktoheshin në statutin e ri.
Statuti i vjetër ka qenë në fuqi deri në muajin tetor 2012 kur edhe është miratuar Statuti i Ri.
Nëse Universiteti i Prishtinës do të zbatonte kërkesat e statutit të vjetër, ashtu siç rekomandojnë juristë dhe ekspert të arsimit, atëherë Bakalli është dashur të eliminohej nga gara. Përmbajtja e statutit të vjetër paraqiste një pengesë të madhe për të: mosha e saj.
Bakalli ka lindur në vitin 1974. Kishte 38 vjet në vitin 2012, kur Universiteti i Prishtinës më 18 korrik të vitit 2012 kishte shpallur konkursin për dy asistentë në lëndën “Mjekësi Interne”.
Neni 185 i statutit të vjetër, i cili ishte në fuqi atëkohë kërkonte që për Fakultetin e Mjekësisë, kandidati nuk duhet t’i ketë më shumë se 35 vjet kur zgjidhet për herë të parë asistent.
Por, hyrja në fuqi e statutit të ri në kohën sa ishte duke u zhvilluar procedurat e vlerësimit të aplikuesve në konkursit, kishte ndryshuar rregullat e lojës.
Përmbajtja e statutit të ri ishte më tolerante për sa i përket kufizimit të moshës.
Ishte rritur nga 35 në 40 vjet, nëse kandidati i fakultetit të mjekësisë e ka gradën e doktorit të shkencës.
“Të jetë jo me i vjetër se 30 vjet (respektivisht 35 vjet në Fakultetin e Mjekësisë) kur emërohet për herë të parë. Përjashtimisht kandidati mund të zgjedhet asistent universiteti deri në moshën 40 vjeçare nëse ka gradën e doktorit të shkencës”, përcakton neni 178 i Statutit të ri.
Ish-deputetja Bakalli e dorëzoi pas konkursit diplomën e doktoratës
Përveç kriterit të moshës, mbetet e diskutueshme plotësimi edhe i një kriteri tjetër nga ana e Bakallit.
Është shkollimi i saj.
Insajderi ka zbuluar se ish-deputetja Aurora Bakalli në kohën e aplikimit e kishte vetëm gradën e Magjistrës së shkencave. Ishte në proces të doktoraturës në universitetin “Sv. Kiril i Metodij” në Shkup të Maqedonisë.
Nërpërmjet konkursit kërkohej grada e doktorit të shkencës. Bakalli e kishte dorëzuar diplomën e doktorraturës pas mbylljes së konkursit.
Konkursi ishte mbyllur më 18 korrik 2012, ndërsa Bakalli pas tre muajsh e kishte dorëzuar në UP diplomën e doktoratës, të cilën e kishte fituar në Shkup më 19 tetor 2012.
Komisioni recensues nxjerrë raportin e vlerësimin i cili mban datën 31 tetor 2012, rreth 10 ditë pasi e kishte sjellë Aurora Bakalli diplomën e doktoratës nga Shkupi dhe ia kishte bashkëngjitur dosjes në konkurs.
“Komisioni recensues shqyrtojë CV-in e kandidates Aurora Bakalli dhe konstatoj se kërkime e shumta shkencore të publikuara në revistat me prestigjioze ndërkombëtare me cilësi të lartë Impact factor si dhe përvoja e lartë profesionale ishin garanc e mirëfillët për transferim të dijes tek studenti iu dha recensioni pozitiv dhe propozojm avancimin ne titullin asistent i lëndës Mjekësi Interve”, thuhet në raportin vlerësues të Komisionit të cilin e posedon Insajderi.
Por diploma e saj nuk ishte e nostrifikuar. Barasvlerësimi i saj u bë 29 mars 2013 nga Ministria e Arsimit.
“Komisioni i ekspertëve për të dhënë mendim për barasvlershmërinë e gradës suaj me gradat përkatëse që fitohen ne Universitetin e Prishtinës, ka rekomanduar që të bëhet njohja e plotë e diplomës pa ndonjë kërkesë shtesë”, thuhet në vendimin e MAShT-it, të cilin e posedon Insajderi.
UP-ja dhe analistët thonë se nuk pranohet asnjë dokument pas mbylljes së konkursit
Sekretari i Përgjithshëm i UP-së, Esat Kelmendi, i ka thënë Insajderit se asnjë dokument nuk lejohet të dorëzohet pas mbylljes së konkursit, madje as nostrifikimin, të cilin Aurora Bakalli e kishte marrë nga Ministria e Arsimit më 29 mars 2013.
“Asnjë dokument shtesë (që dëshmon kualifikimin e fituar pas mbylljes së konkursit, nostrifikim etj) nuk lejohet pas ditës së mbylljes së konkursit, përveç nëse komisioni përkatës kërkon sqarime apo verifikim të gjendjes së prezantuar në raportet përkatëse”, ka thënë Kelmendi.
Analistët e fushës së arsimit thonë se kandidati nuk mund të sjellë dokumente shtesë të cilat i ka fituar pas mbylljes së konkursit.
“Mendoj që mund të plotësohet aplikacioni me dokumente tjera shtesë edhe pas mbylljes së konkursit nëse është fjala për dokumente ekzistuese të kandidatit, por jo për dokumente ose kualifikime që eventualisht kandidati i fiton pas mbylljes së konkursit”, ka thënë njohësi i çështjeve arsimore Jusuf Thaçi për Gazetën Insajderi.
Pas gjithë kësaj, Senati u Universitetit të Prishtinës, më 22 korrik 2013 merr vendim me të cilin e zgjedhë Aurora Bakallin në pozitën e asistentes në Fakultetin e Mjekësisë.
“Aurora Bakalli zgjedhet asistente për lëndët Mjekësi interne, në Fakultetin e Mjekësisë. Zgjedhja është bërë në pajtim me kushtet e parapara në nenin 178 të Statutit të Universitetit të Prishtinës. E përmendura është e obliguar që t’u përmbahet dispozitave të Statutit të Universitetit. Zgjedhja zgjat për përiudhën 3 vjeçare”, thuhet në vendimin e Senatit, të cilin e posedon Insajderi.
Në vendim shihet se Senati i është referuar Statutit të ri, edhe pse konkursi ishte shpallur me Statut të vjetër.
Juristët vlerësojnë se konkursi do të duhej të përfundonte me po atë Statut që është shpallur.
“Normalisht duhet me u përmbyllë me Statut të vjetër, meqë kjo nënkupton se për ata që tashmë kanë aplikuar nuk po ndryshohen rregullat në mes të lojës”, ka thënë për Insajderin juristi Kushtrim Palushi.
Bakalli: Krejt procesi ishte në rregull
Por ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Aurora Bakalli, i ka thënë Gazetës Insajderi se krejt procesi i pranimit të saj si asistente në Mjekësi ka qenë në rregull.
“Nëse në ndërkohë botohet ndonjë punim shkencor, nëse ka ndonjë dokument shtesë i cili të shtohet ty në periudhën një veçare sa ka zgjatë konkursi, gjithmonë ke të drejtë më shtu dokumente shtesë deri kur të merret vendimi. Por saktësisht se çka kam mundur të shtojë, nuk me kujtohet sepse ka kalu kohë e gjatë. Por një gjë e di se diplomën e kam pasur të nostrifikuar kur është marrë vendimi për me u zgjedhë asistente”, ka thënë Bakalli për Insajderin.
Ajo ka thënë se është autore e parë e 15 punimeve shkencore, duke e vlerësuar si privilegj edhe për Fakultetin e Mjekësisë që ka një asistente të tillë si ajo.