Autor: Agron Demi
Numri i madh i posteve ministrore, përveç problemeve të mëdha në qeverisje, shpeshherë ka shkaktuar edhe situata komike. Qeveria e formuar pas zgjedhjeve parlamentare të 2010 i nxori Kuvendit probleme protokollare: nuk kishte ulëse të mjaftueshme për të gjithë ministrat dhe zëvendëskryeministrat, andaj në rastet kur tërë kabineti qeveritar duhej të ishte i pranishëm në seanca plenare, nevojitej që të improvizohej me karrige shtesë.
Përkundër asaj se Kosova aplikon sistem parlamentar të qeverisjes, Kuvendi nuk e mban fare nën kontroll Qeverinë, duke mos pasur kompetenca madje as të përcaktoj numrin e ministrive. Deri më 2007, kur numri i ministrive varej nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, ndryshimi i strukturës së qeverisë duhej të përcillej edhe me ndryshimin e Rregullores së UNMIK, e cila kishte fuqinë e ligjit. Tani, ndryshimi i numrit të ministrive bëhet vetëm me vendim të Kryeministrit ose Qeverisë. Sipas Kushtetutës, baza ligjore për funksionimin e degës ekzekutive duhet të bazohet në një ligj të veçantë për Qeverinë. Por edhe tetë vite pas hyrjes së Kushtetutës në fuqi, ende nuk është aprovuar ligji për Qeverinë.
Aktualisht, Qeveria e udhëhequr nga Kryeministri Isa Mustafa ka 19 ministri, 21 ministra, tre zëvendëskryeministra dhe 35 zëvendësministra. Një qeveri me 60 poste ministrore bart pasoja negative për shumë arsye, sikurse vështirësitë në koordinim dhe qeverisje, keqpërdorim të parasë publike, dhe besim të ulët në institucionet publike.
Numri i madh i posteve ministrore si pengesë në qeverisje
Më 20 korrik 2011, në mbledhjen e 24 të Qeverisë, Kryeministri Hashim Thaçi i cili po e drejtonte mbledhjen, kaloi në pikën e pestë të rendit të ditës. Para se ta ftonte përfaqësuesin e ministrisë që të prezantoj propozimin e ministrisë së tij, Kryeministri ngrit kokën nga letrat që ka para vetes dhe shikon në drejtim të përfaqësuesit të ministrisë. Mundohet që të ja kujtoj emrin për disa sekonda, por e ka të pamundur. Në fund dorëzohet dhe i drejtohet vetëm me “urdhëroni zoti zëvendësministër”.
Në një qeveri me kaq shumë poste ministrore, përveç që Kryeministri e ka të vështirë t’i njoh të gjithë me emër, dalin edhe probleme të mëdha në qeverisje. Koalicionet qeverisëse që nga 2008 e këndej funksionojnë me një logjikë të mbrapshtë: sa më shumë poste ministrore, aq më lehtë për të lidhur koalicione dhe për të sistemuar të fortit e partive politike.
Përderisa kjo logjikë mund të sjell përfitime deri në arritjen e koalicionit qeverisës, kjo logjikë e minon qeverisjen e koalicioneve. Përvoja e gjertanishme ka treguar se ekzistimi i disa ministrive që mbulojnë fusha të njëjta, vetëm e vështirëson koordinimin dhe po sjellë probleme të cilat mund të prishin koalicionin qeverisës.
Si pasojë e së njëjtës logjikë, edhe qeveria e kaluar (2011-2014), edhe kjo e tanishmja, janë përballur me probleme të ngjashme, sidomos sa i përket koordinimit në mes ministrive që mbulojnë fushën e zhvillimit ekonomik.
Aktualisht janë së paku shtatë ministri të cilat mbulojnë aspekte të ndryshme të zhvillimit ekonomik: Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Diasporës dhe Ministria e Financave.
Në një situatë hipotetike, nëse Ministria e Diasporës arrin të bind investitorët nga diaspora që të investojnë në Kosovë në fushën e energjisë së ripërtëritshme, një investitor i tillë duhet të regjistrohet si biznes në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, të aplikojë për licencë në Zyrën e Rregullatorit për Energji, të marr lejen mjedisore në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, të paguaj taksat për biznes në komunën ku do të operoj, të varet nga politikat për tarifat nxitëse të cilat i vendos Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e në fund këto tarifa nxitëse të marrin edhe pëlqimin e Ministrisë së Financave.
Me këtë strukturë institucionale, nuk është për tu habitur se përse kemi aq pak investime të huaja, e kundërta do të duhej të na habiste.
Me qëllim të koordinimit të ministrive dhe marrjen e vendimeve të përbashkëta, që nga 2008 e këndej qeveria ka themeluar së paku 33 komisione ndërministrore. Këto komisione ndërministrore mbulojnë fusha nga ndërmarrje publike, partneritet publiko-privat, zonat ekonomike, investimet e huaja, politikat tregtare e deri tek kontrolli i duhanit.
Vetëm Ministria e Financave është pjesë e 24 komisioneve ndërministrore. Se sa komplekse është vendimmarrja në nivel qeveritar, e dëshmon edhe rasti i krijimit të ndërmarrjes publike “Prishtina Parking”. Për të themeluar një ndërmarrje të re publike, fillimisht duhet të jap aprovimin Komisioni Ndërministrorë për Ndërmarrje Publike, i cili në përbërje të tij ka pesë ministri. Kërkesa e Komunës së Prishtinës për krijimin e ndërmarrjes publike nuk mori aprovimin e qeverisë për më shumë se një vit me arsyetimin se komisioni ndërministror nuk po arrin të mblidhet.
Keqpërdorimi i buxhetit
Numri i madh i posteve ministrore rrit mundësitë për keqpërdorimin e buxhetit. Raportet e fundit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm gjejnë përdorime të shumta në secilën ministri. Po ashtu, buxheti keqpërdoret në secilin rast kur dikush merr pagë dhe krijon shpenzime tjera në një post publik funksionimi i të cilit nuk mund të arsyetohet.
Në një analizë të Institutit GAP, të publikuar menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të 2014 dhe ende pa u krijuar Qeveria e re, kemi kërkuar që qeveria të ketë më së shumti 13 ministri. Përveç kësaj, GAP ka kërkuar edhe uljen e numrit të zëvendësministrave. Aktualisht, ka ministri të cilat kanë nga tre zëvendësministra.
Me rastin e emërimit, secili ministër automatikisht ka të drejtë për një zyre, asistent, këshilltar politik, veturë zyrtare, dreka e telefon zyrtar, mëditje për udhëtime jashtë vendit, e shumë shpenzime tjera të panevojshme. Analiza e GAP kalkulon se me uljen e numrit të ministrive nga 19 sa janë aktualisht në 13, brenda një mandati të rregullt qeverisës do të kurseheshin 2.5 milion euro, pa llogaritur këtu kursimet nga drekat zyrtare, telefonatat, përdorimi i veturave.
Për të vënë në perspektivë se çfarë mund të bëhej me këto 2.5 milion euro, po e marr si shembull një rast të javës së kaluar, kur Qeveria nuk lejoi dhe Kuvendi nuk e aprovoi kërkesën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për punësimin e 13 personave të rinj në gjykata të cilët do të merreshin me lëndët që kanë të bëjnë me investitorët. Alokimi i 2.5 milion eurove ne sistemin gjyqësor do të ishte veprim shumëfish më i drejtë se sa shpenzimi i tyre në paga për postet ministrore që nuk janë të arsyeshme.
Humbja e besimit në qeveri
Më 2012, Milan Bandic, kryetar i Zagrebit, ishte përgatitur të pres një delegacion të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të prirë nga ministri i atëhershëm Dardan Gashi. Ai ishte befasuar kur në zyrën e tij ishin shfaqur nëntë veta nga delegacioni kosovar. Më pas, Bandic kishte bërë hajgare duke thënë se “kur ju pash mu duk se po pres një delegacion të qeverisë kineze.”
Për shumë zyrtarë të Qeverisë, nuk ka asgjë më të dëshirueshme se sa mundësia për të dalur jashtë vendit në udhëtime zyrtare. Në shtator të vitit 2015, në një konferencë kundër terrorizmit në New York, udhëtuan së paku 26 persona nga delegacioni i Kosovës. Raste të tilla i bëjnë delegacionet e Kosovës objekt batutash nga qeveritë e huaja për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve.
Për më shumë, kjo mendësi dhe sjellje e qeveritarëve tregon pse qytetarët nuk kanë besim në qeverisje. Në qindra herë qytetarët kanë raportuar raste kur një veturë zyrtare ka qenë duke u furnizuar me mall në supermarkete, duke i prirë karvanit të dasmave, në pushime në det apo edhe duke i shëtitur qentë.
Në raportin e fundit të auditimit i publikuar nga ZAP për Ministrinë e Infrastrukturës u tha se një ish zëvendësministër nuk e kishte kthyer veturën zyrtare edhe katër muaj pas largimit nga posti. Askush nuk e përmendi emrin e këtij zëvendësministri. Anonim është emri i atyre që keqpërdorin pasurinë publike.
Ristrukturimi i qeverisë
Në qershor të 2014, gjatë fushatës zgjedhore, Avdullah Hoti, ministër aktual i financave, kishte deklaruar se një Qeveri e udhëhequr nga LDK duhet të ketë përafërsisht dhjetë ministri. Kurse aktualisht Qeveria e udhëhequr nga LDK ka më shumë ministra se ajo e kaluara të cilën e kritikonte z. Hoti për numër të madh të ministrive.
Andaj Qeveria e Kosovës do të duhej sa më parë që të procedoj për në Kuvend Ligjin për Qeverinë. Ky ligj duhet të parasheh më së shumti 13 ministri, dhe të kufizoj numrin e zëvendësministrave.
Zvogëlimi i numrit të ministrive nga 19 në 13 mund të bëhet duke krijuar një ministri të fuqishme të zhvillimit ekonomik, e cila përveç Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, do të përfshijë edhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ministrinë e Financave; duke e shuar Ministrinë e Diasporës e duke i bartur funksionet e saj në ministritë tjera; duke shuar Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, kurse funksionet e saj ti barten Zyrës së Kryeministrit; si dhe, duke shuar Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe funksionet e saj të barten në Ministrinë e Administratës Publike.
Strukturimi i qeverisë nuk do të thotë se automatikisht do të kemi një qeverisje më të mirë. Por një qeveri me më pak poste ministrore është parakusht për një qeverisje më të mirë, koordinim dhe eficiencë në përdorimin e parasë publike dhe zbatim të reformave që dalin nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim./Kallxo.com