Punëtorët e Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) kanë nisur grevën njëorëshe, me kërkesën e vetme për rritje page prej 100 eurosh.
Ahmet Mujeci, nga Federata Sindikale e KEDS-it, ka thënë për “Interaktiv” të KTV-së të martën se kërkesa për rritje pagash për të gjithë punëtorët e kompanisë është shtruar që nga nëntori i vitit të kaluar.
“Kemi qenë konstruktivë që nga nëntori. I jemi drejtuar menaxhmentit dhe bordit që të kihet parasysh sepse punëtorët janë lodhur e janë dërmuar prej pandemisë dhe kemi konsideruar si shumë të nevojshme rritjen e pagës. I kemi pritur me shpresë nëse do të realizohet, por menaxhmenti në takimin e fundit që kemi pasur ka ofruar rritje minimale për një pjesë të punëtorëve, në vlerë 30 euro. Kemi konsideruar si të vetmen formë që të fillojmë grevën qysh prej nesër më datë 11, 12 dhe 13”, ka thënë Mujeci.
Greva do të vazhdojë edhe të mërkurën, më 12 maj nga ora 08:30 deri në 10:30, si dhe 13 maj, nga 08:30 deri në 11:30.
© KOHA