Punonjësit e kompanisë Google mbajtën protesta kundër lidhjeve të kompanisë me Izraelin në dy nga zyrat e gjigantit të teknologjisë në California dhe New York City, transmeton Anadolu.
Protestat u drejtuan nga një grup i quajtur “No Tech For Apartheid”, i cili thotë se kërkon që Google dhe Amazon “të anulojnë kontratën e tyre Nimbus me qeverinë dhe ushtrinë izraelite”.
Në Sunnyvale, California, protestuesit u zotuan të qëndrojnë derisa Google të përfundojë kontratën e saj prej 1,2 miliard dollarësh me Amazon, e cila do t’i sigurojë Izraelit shërbime cloud dhe qendra të dhënash për projektin Nimbus.
Protesta u transmetua drejtpërdrejt në kanalin Twitch të grupit.
Rreth 10 orë pas protestave, policia arrestoi grupe punonjësish në New York dhe California, njoftoi grupi në X.
Protestat përkojnë gjithashtu me ofensivën e vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës, ku nga 7 tetori janë vrarë pothuajse 34 mijë persona.
– Projekti Nimbus
Nimbus përfshin një sistem cloud dhe sistem të mësimit artificial që mundëson ruajtjen, mbledhjen, analizën, identifikimin e motiveve dhe veçorive nga të dhënat dhe parashikimin e të dhënave dhe motiveve të mundshme.
Një kontratë 1,2 miliard dollarë për projektin u nënshkrua në prill 2021 midis Izraelit dhe kompanive Google dhe Amazon.
Izraeli njoftoi në prill 2021 se Google dhe Amazon fituan tenderin masiv shtetëror, duke lejuar Izraelin të krijojë qendrat e tij lokale të serverëve të ruajtjes së cloud.
Sistemi mund të mbledhë të gjitha burimet e të dhënave të ofruara nga Izraeli dhe ushtria e tij, duke përfshirë bazat e të dhënave, burimet dhe madje edhe burimet e vëzhgimit të drejtpërdrejtë si kamerat e rrugëve dhe të dronëve.
Kritikët argumentojnë se projekti mund të ndihmojë Izraelin të vazhdojë sistemin e tij të shtypjes të ngjashëm me aparteid, pjesë e së cilit janë dominimi dhe veçimi i popullit palestinez.