Gazetar: Avni Tahiri
Punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Rrugë dhe Rrugica” protestuan para Qytetit të Shkupit, pasi siç thonë ende nuk kanë marrë pagën e muajit nëntor, punojnë pa kushte dhe për pagën e 13, apo të njohur si K-15.
“Nuk ka rrogë, K15 nuk ka, veturat janë të pa regjistruara. Me një veturë shkojnë punëtoret neper objekte që punojnë, nëse nuk ka rrogë do të vazhdojmë kështu me protestë. Që sa kohë që je i punësuar? 16 vite, familja varet vetëm nga puna jote? Po, vetëm unë jam anëtarë që punoj dhe vetëm nga kjo jetojmë”, deklaroi një i punësuar në NP “Rrugë dhe Rrugica”.
”Kemi problem me rrogën çdo muaj. Veturat e pa regjistruara dhe për K15 çdo muaj na gënjejnë dhe për atë dolëm këtu. Vitin e kaluar morëm K15 ndërsa sivjet nuk kemi, çdo muaj rroga vonohet. Ligji është para 15 ndërsa ne e marrim me datë 19, 20 apo 25”, tha një tjetër i punësuar në NP “Rrugë dhe Rrugica”.
Marjan Risteski – Kryetar i sindikatës thotë se ndërmarrja ka llogari te bllokuar, veturat e ndërmarrjes janë të pa regjistruara dhe se punëtorët punojnë në kushte mizore. Nga Ndërmarrja “Rrugë dhe Rrugica” lidhur me protestën thonë se është e politizuar dhe akuzojnë Qeverinë se po dëmtojnë ndërmarrjet e Shkupit ndërsa shtojnë se punëtoret kanë marrë rrogat e tyre.
“Mickoski, para se të vazhdojë të dëmtojë ndërmarrjet e Shkupit dhe Qytetin e Shkupit, duhet t’i informojë qytetarët se punëtorët e Ndërmarrjes Publike Rrugët dhe Rrugica e kanë marrë rrogën e tyre, andaj është e paqartë pse sindikata po proteston. Njëkohësisht, Mickoski duhet t’i informojë se për rritje lineare të pagave dhe K15, që janë kërkesat e sindikatës, vendimin e merr Bordi Drejtues i ndërmarrjes, anëtarët e të cilit zgjidhen pikërisht nga VMRO-DPMNE”, thonë nga Ndërmarrja Publike Rrugë dhe Rrugica.
Protesta para qytetit të Shkupit nga punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Rrugë dhe Rrugica” ishte e qetë dhe zgjati rreth një orë. /Alsat.mk