Punonjësit e Radio Televizioni i Kosovës kanë protestuar sot, si reagim ndaj mosalokimit të plotë të pagave për muajin qershor.
Me pankartat “Duam pagat tona”, “Mos ndëshkoni informimin publik”, “Rrogën tonë e kërkojmë, RTK”, tri organizata sindikale – Sindikata e Pavarur e RTK-së, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës – janë bërë bashkë për të shprehur pakënaqësinë për gjendjen e transmetuesit publik.
Ata kanë kërkuar ekzekutimin e menjëhershëm të pjesës së mbetur të pagave dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve.
“Pas çdo punëtori të RTK-së qëndron një familje. Paga nuk është luks. Paga është mjeti me të cilin mbajmë familjet tona dhe sigurojmë jetesën”, kanë thënë përfaqësuesit e sindikatave.
Ne nuk kërkojmë privilegje. Nuk kërkojmë favore. Kërkojmë vetëm atë që na takon me ligj.
Përveç punonjësve, në protestë morën pjesë edhe përfaqësues të shoqërisë civile. Gjithashtu, protesta u përkrah edhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të cilët thanë se çdo vonesë apo mosekzekutim i plotë i pagave cenon drejtpërdrejt sigurinë ekonomike dhe dinjitetin e punëtorëve.
Të premten, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së përgjithshme të RTK-së, Zana Spahiu, kishte njoftuar për realizimin e pagesës së pjesshme të pagave, në vlerë prej 50 për qind për secilën kategori të stafit.
Në njoftimin e së premtes thuhej se pjesa e mbetur e pagave do të ekzekutohet brenda kësaj jave. “Pjesën e mbetur të pagave do ta ekzekutojmë gjatë javës së ardhshme, varësisht nga mundësitë financiare që do të krijohen”, thuhet në njoftim.
Spahiu ka falënderuar punonjësit për mirëkuptimin, durimin dhe mbështetjen gjatë kësaj “periudhe sfiduese për RTK-në”.
Menaxhmenti i RTK-së ka bërë të ditur se është duke u angazhuar për sigurimin e mjeteve të nevojshme për mbarëvajtjen e punës në RTK.















