Pushteti-opozita, përplasje për ligjin e masave

Gazetar: Ile Petrevski

Me një orë e gjysmë vonesë filloi seanca për miratimin e propozim- ndryshimeve të ligjeve për akcizë dhe TVSH. Ndërsa qytetarët tërë ditën i pritën ndryshimet që do të ulin shpenzimet e tyre për ushqime dhe karburant, deputetët vendosën të debatojnë për këto pika vonë pasdite. Deputeti Dimitar Apasiev ka akuzuar kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi se është vonuar më shumë se një orë dhe kjo tregon neglizhencën ndaj qytetarëve, shkruan Alsat.

“Vetë azhurnimi juaj shihet në faktin se seanca është caktuar në orën 15, ndërsa tani është ora 17, dhe ju nuk mund të siguroni shumicën. Këtu shihet urgjenca juaj”, tha Dimitar Apasiev deputet i së Majtës

Opozita deklaroi se do të mbështesë propozim – ndryshimet. Por shprehet e revoltuar nga qëndrimi i Xhaferit pasi propozimi i tyre me ndryshime të ngjashme të ligjeve ka ngecur në procedurë parlamentare për 12 ditë.

“Nëse ju, Qeveria dhe Ministria e Financave vërtetë do donit që kjo të ndodhte, ju si shumicë qeverisëse do të kishit pranuar që këto 12 ditë të mos i humbnim  pa nevojë. Do kishit reaguar me amendamente dhe do të kishit zgjidhur radhët para pompave të benzinës, panikun e njerëzve dhe pasigurinë e kompanive”, tha Nikola Micevski VMRO-DPMNE

Kryeparlamentari Xhaferi thotë se ka vepruar sipas rregullores. Ai shtoi se propozimi i VMRO-DPMNE-së është vënë në rend dite dhe do të diskutohet në ditët në vijim.

“Duhej të kishte të paktën 20 nënshkrime të deputetëve me kërkesë për thirrjen e seancës urgjente”, theksoi Talat Xhaferi Kryetar i Kuvendit

LSDM-ja theksoi se me ndryshimet e reja të ligjeve, qytetarët do të kenë përmirësuar fuqinë blerëse.

“Sigurisht, ne zgjidhjet mund t’i shikojmë ndryshe. Por në fund duhet të marrim vendime që do të ndihmojnë qytetarët, të gjithë ata që na kanë zgjedhur, sepse në fund të fundit ne jemi zgjedhur prej tyre për të zgjidhur problemet”, tha Jovan Mitrevski LSDM

Me propozim- ndryshimet ulen akcizat për karburantet që shteti e merr nga shitja në pompat e benzinës, por edhe TVSH-në e karburanteve nga 18 në 10%. Gjithashtu me ndryshimet, TVSH-ja për ushqimet ulet në 0 %.  Që këto ndryshime të hyjnë në fuqi, fillimisht duhet të publikohen në Gazetën Zyrtare. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme