Xhevdet Pozhari
Partitë shqiptare janë si gjitha partitë e kësaj bote dhe siç i ka definuar një shkrimtar yni ato u ngjajnë lopëve që i ushqen e gjithë anëtarësia, por të cilat i mjelin kryesuesit e tyre. Përpos kësaj, ka diçka që partitë shqiptare i bënë të veçanta: herdo- kurdo, nga një parti shqiptare bëhen dy! Si dhe e vërteta se përderisa u shkon muhabeti, drejtuesit e tyre u ngjajnë vëllezërve të pandashëm të një nëne, por posa u hynë në mes grindja, u ngjasojnë motrave grindavece të përdala, të cilat shajnë njëra- tjetrën thuajse nuk i kanë shërbyer të njëjtit ‘makro’ dhe se nuk kanë punuar në të njëjtën “shtëpi publike’!
Se nga çdo parti shqiptare herdo- kurdo bëhen dy, së fundmi e dëshmojnë edhe përçarjet në Lëvizjen Vetëvendosje. Madje edhe mënyra e ndarjes është thuajse identike me ato që u kanë ndodhur partive tjera dhe asaj i prijnë ‘molliqajt’ e posavetëdijësuar që “viktimizohen” për të mirën e popullit dhe bëjnë çmos që ta shpalosin brutalitetin e atij që deri dje ia puthnin dorën.
Dhe përderisa partitë shqiptare ndahen e shumohen, derisa shtohen ‘molliqajt’ e “dardanët” që përçajnë partitë për të mirën e popullit, shqiptaria e Kosova e kanë gjithnjë e më keq. Gjë që shpërfaqë të vërtetën se partitë tona u bënë strehimore të atyre që popullit ia rekomandojnë durim e vetvetes ngutjen që sa më shpejtë të ngjiten në piramidat partiake apo shtetërore. Pra, ajo që shfaqet tani në trajtën më të vrazhdë në publik, nuk është tjetër pos klithje e atyre që e kanë mësuar mjeshtërinë që përderisa janë në djepin partiak, e thirrin baba cilindo që i mëkon e i ndihmon të rriten, e posa burrërohen e pshurrin djepin dhe e pështyjnë dorën e atij që i ka luhatur.
Ajo që ndodh në Vetëvendosjen nuk është diçka e paparë tek partitë shqiptare. E veçanta është se ‘dardanët’ e ‘molliqajt’ kanë patentuar një risi: ata nuk ja mohojnë Kurtit se është më i forti e më i pëlqyer se ata për kryetar partie, po i hidhërohen pse nuk e bën atë që është e panatyrshme ta bëjë cilido partiak – të heqë dorë nga ky popullaritet dhe të vetizolohet.
Kundërshtarët e Kurtit jo se nuk pranojnë se janë nxënës të devotshëm të tij, po hidhërohen pse ‘profesori’ i tyre nuk tërhiqet që t’ua dorëzoj atyre drejtimin e’katedrës’. Dhe pezull mbetet pyetja e logjikshme: çka na duhen nxënësit, nëse është shëndosh e mirë profesori!? Dhe nëse i besojmë thënies së Molliqajt se Kurti është i rrezikshëm për Kosovën, atëherë pse të mos jenë të tillë edhe ata që vetë pranojnë se janë nxënës të Albinit?
Andaj, të gjitha partitë e kësaj bote u ngjajnë lopëve të cilat anëtarësia dhe votuesit i ushqejnë, por kryesuesit i mjelin. Por partitë shqiptare kanë një të veçantë: ato themelohen nga vëllezërit besnik që i përkulen dhe e dëgjojnë ‘babanë’, por copëtohen nga motrat e përdala që duan ‘shtëpinë e vet publike’.



