Mbi 130 mijë persona u mblodhën në një stadium të Moskës për një event elektoral të Vladimir Putin. Atyre iu bashkëngjitën edhe shumë emra të njohur të artit dhe sportit të Rusisë.
Turmë e madhe për Vladimir Putin në stadiumin Luzhniki të Moskës para zgjedhjeve presidenciale të 18 marsit. Sipas ministrisë së brendshme, mbi 130 mijë persona u mblodhën për të dëgjuar një koncert të yjeve të skenës ruse në sajë të eventit elektoral “Për një Rusi të Fortë”.
“Ne duam që vendi ynë të jetë i begatë dhe të shikojë nga e ardhmja, për fëmijët dhe nipërit tanë … ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i bërë ata të lumtur”, u shpreh Putin ndaj një publiku që e duartrokiti.
“Askush tjetër nuk do ta bëjë këtë për ne, dhe nëse e bëjmë, dekada e ardhshme dhe i gjithë shekulli 21 do të shënohet me fitoret tona të shkëlqyera”, shtoi më tej shefi i Kremlinit. “Së bashku ne jemi një ekip”, tha Putin ndërsa filloi të këndojë dhe himnin kombëtar të Rusisë. Në mbështetje të tij, në stadiumin, ka pasur fytyra të njohura të kulturës, sportit dhe muzikës.
“Unë nuk shoh ndonjë kandidat tjetër që mund të jetë komandanti ynë kryesor: Putin është presidenti ynë”, tha producenti i njohur rus, Nikita Mikhalkov.
Ndërkohë, duke qëndruar tek shefi i Kremlinit, media e njohur ndërkombëtare “Politico”, ka publikuar një analizë të Ksana Antonenko.
Me titullin “Armiku më i keq i Putin është vetë Putin”, shkrimi nënvizon se ka dy gjëra të sigurta në zgjedhjet presidenciale të Rusisë. E para, që Vladimir Putin do të dalë fitues, me të gjitha sondazhet e rëndësishme që i japin rreth 70% të votave. E dyta, se votimi – si të gjitha zgjedhjet e mëparshme në historinë post-sovjetike të vendit – nuk do të jetë i lirë dhe i drejtë.
Antonenko në analizën e saj thekson se deri më tani Kremlini ia ka dalë shumë mirë që të zbehë ndikimin e opozitës, ndërsa përmend edhe përdorimin e të gjitha mekanizmave shtetërore për të ndaluar kandidimin e opozitarit Alexei Navalni, i cili konsiderohet si personi që mund ta rrëzojë Putin nga froni. Sipas shkrimit, një rrezik serioz për sundimin e njeriut që konsiderohet më I pushtetshmi në botë, mund t’i vijë nga rinia ruse. Këta të fundit kanë një pakënaqësi të madhe ndaj elitës politike të Moskës, veçanërisht ndaj Putin. Shpeshherë të rinjtë janë angazhuar në protesta të paautorizuar dhe organizimi i tyre është bërë larg vëzhgimit shtetëror në mediat sociale. Analiza në median “Politico” mbyllet me një parashikim duke nënvizuar fitoren e sigurt të Putin në zgjedhjet presidenciale.
Por pas rizgjidhjes së tij do të fillojë beteja e vërtetë, pasi nuk dihen ende reagimet e politikës, duke parë që Putin garon si kandidat i pavarur.