Putini është i paparashikueshëm!

Nga Steve Rosenberg- BBC News, Moskë

Më lejoni të filloj me një pohim. Shumë herë kam menduar: “Putini nuk do ta bënte kurrë këtë.” Pastaj ai e bën.

“Ai nuk do ta aneksonte kurrë Krimenë” E bëri.

“Ai nuk do të fillonte kurrë një luftë në Donbas.” E bëri.

“Ai kurrë nuk do të fillonte një pushtim të plotë të Ukrainës.” Sapo e ka bërë.

Kam arritur në përfundimin se shprehja “nuk do ta bënte kurrë” nuk vlen për Vladimir Putinin.

Dhe kjo ngre një pyetje të pakëndshme:

“Ai kurrë nuk do të shtypte butonin bërthamor i pari. A do ta bënte?”

Nuk është një pyetje teorike. Udhëheqësi rus sapo ka vënë forcat bërthamore të vendit të tij në gatishmëri “speciale”.

Dëgjoni me vëmendje atë që Presidenti Putin ka thënë. Të enjten e kaluar kur ai njoftoi në TV “operacionin e tij special ushtarak” (në realitet, një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës), ai dha një paralajmërim rrëqethës:

“Për këdo që do ta konsideronte ndërhyrjen, nëse do e bënte, do të përballej me pasoja më të mëdha se çfarëdo pasoje që është përballur ndonjëherë deri më sot.”

“Fjalët e Putinit tingëllojnë si një kërcënim i drejtpërdrejtë i luftës bërthamore,” beson laureati i Çmimit Nobel për Paqe, Dmitry Muratov, kryeredaktor i gazetës Novaya Gazeta.

“Në atë fjalim televiziv, Putini nuk po sillej si mjeshtri i Kremlinit, por si mjeshtër i planetit; në të njëjtën mënyrë si pronari i një makine që rrotullon çelësin rreth gishtit, Putini po “rrotullonte bërthamën”. Ai ka thënë shumë herë: nëse nuk ka Rusi, pse na duhet planeti? Askush nuk i kushtoi vëmendje. Por ky është një kërcënim që nëse Rusia nuk trajtohet siç do ai, atëherë gjithçka do të shkatërrohet.”

Në një dokumentar të vitit 2018, Presidenti Putin komentoi se “...nëse dikush vendos të asgjësojë Rusinë, ne kemi të drejtën ligjore të përgjigjemi. Po, do të jetë një katastrofë për njerëzimin dhe për botën. Por unë jam një qytetar i Rusisë dhe kreu i shtetit të saj. Ç’na duhet një botë pa Rusinë?”

Tashmë Putini ka nisur një luftë në shkallë të plotë kundër Ukrainës, por forcat e armatosura të Ukrainës po bëjnë rezistencë të ashpër; Vendet perëndimore, për habinë e Kremlinit, janë bashkuar për të vendosur sanksione potencialisht gjymtuese ekonomike dhe financiare kundër Moskës. Vetë ekzistenca e sistemit të Putinit mund të jetë vënë në dyshim.

Putini është në një pikë të ngushtë,” beson analisti i mbrojtjes me bazë në Moskë, Pavel Felgenhauer. “Atij nuk i kanë mbetur shumë opsione, sapo Perëndimi të ngrijë asetet e Bankës Qendrore Ruse dhe sistemi financiar i Rusisë të shpërthejë në të vërtetë. Kjo do ta bëjë sistemin të pafuqishëm.

Një opsion për të është të shkurtojë furnizimet me gaz në Evropë, duke shpresuar se kjo do t’i bëjë evropianët të zbuten në qendrime. Një opsion tjetër është të shpërthejë një armë bërthamore diku mbi Detin e Veriut midis Britanisë dhe Danimarkës dhe të shohim se çfarë do të ndodhë.

Nëse Vladimir Putin do të zgjidhte një opsion bërthamor, a do të përpiqej dikush në rrethin e tij të ngushtë ta shkëpusë atë? Apo ta ndalojë?

“Elitat politike të Rusisë nuk janë kurrë me njerëzit” thotë laureati i Nobelit Dmitry Muratov. Ata gjithmonë marrin anën e sundimtarit”.

Dhe në Rusinë e Vladimir Putinit, sundimtari është i plotfuqishëm. Ky është një vend me pak kontrolle dhe ekuilibra; është Kremlini ai që i urdhëron të shtënat.

Askush nuk është gati t’i rezistojë Putinit” thotë Pavel Felgenhauer. “Ne jemi në një vend të rrezikshëm”

Lufta në Ukrainë është lufta e Vladimir Putinit. Nëse udhëheqësi i Kremlinit arrin qëllimet e tij ushtarake, e ardhmja e Ukrainës si një komb sovran do të jetë në dyshim. Nëse ai perceptohet se po dështon, frika është se Kremlini mund të marrë masa akoma më të dëshpëruara.

Dhe shprehja “nuk do ta bënte kurrë” nuk vlen më.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme