Seancat publike të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) kanë fituar interesin e një telenovele të re. E veçanta është se, megjithëse përfundimi dihet, disa personazhe pretendojnë që do dalin nga skenari dhe do e shndërrojnë viktimën në fitimtar.
Kjo i ka rritur shikueshmërinë telenovelës dhe po i bën të famshëm personazhet. Mbi të gjithë spikat Ilirjan Rusmali, ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë Berisha, por i zgjedhur në KAS prej Partisë Socialiste, pasi nuk mundi ta zgjidhte Kryekomisioner. Një jurist shumë i zoti, ish-ministri demokrat, është bërë ferri i avokatëve të Partisë Demokratike, në përpjekjen e dëshpëruar për të marrë përgjigje pozitive nga një komision me shumicën e zgjedhur nga PS.
Vazhdimisht Rusmali evidenton se provat e PD janë të pamjaftueshme, se ato prova që janë paraqitur në KAS, nuk janë të gatshme, por duhen kërkuar nga institucionet.
Derisa njëri prej avokatëve të Partisë Demokratike e pyeti: Cila është arsyeja që refuzoni të merrni prova nga SPAK?
Një pyetje e thjeshtë që nuk humbiste dot nëpër nenet e shumta të Kodit Zgjedhor, e detyroi Rusmalin të harronte linjën ligjore të ligjërimit dhe të sillej si përfaqësues i partisë që e ka zgjedhur. Edhe pse në Berat, demokratët rreshtojnë argumentet sesi u shpërndanë 10 milionë lekë për tërmetin në prag të zgjedhjeve, sesi furgoni i rezervave të shtetit u ndalua nga mbështetësit e PD, sesi në Durrës paratë e tërmetit u dhanë brenda tri javësh, apo sesi në Tiranë, shefja e Belinda Ballukut premtonte legalizime në këmbim të votës, për përfaqësuesin e PS në KQZ, këto nuk ishin prova për shitblerjen e votës.
Pyetja e avokatit Marash Logu, është në fakt thelbi i këtij procesi që duket pa kuptim për shumë njerëz që nuk kanë pse ta dinë përmendësh Kodin Zgjedhor. Ajo lind nga detyrimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve “për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve”, siç parashikohet në nenin 12, pika 1 të Kodit Zgjedhor.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucioni përgjegjës për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve dhe referendumeve, i cili drejton dhe mbikëqyr veprimtarinë e administratës zgjedhore, monitoron veprimtarinë e subjekteve zgjedhore, organeve dhe institucioneve shtetërore dhe të medias në raport me zgjedhjet, si dhe zgjidh në rrugë administrative kërkesat apo ankesat që kanë lidhje me procesin zgjedhor”
Kjo e detyron edhe Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve, që po shqyrton ankimimet e opozitës, të jetë pjesë e hetimit. Neni 137, e detyron KQZ, pra edhe KAS, të kërkojë provat, kur një palë ankuese nuk mund t’i marrë vetë ato.
Neni 137
Detyrimi i organeve të tjera për të vënë në dispozicion prova
1. KQZ-ja u kërkon organeve të administratës publike të vënë në dispozicion informacione, dokumente ose çdo provë tjetër që kërkohet ose çmohet e nevojshme për hetimin administrativ.
2. Organet e administratës publike janë të detyruara të vënë në dispozicion provat, sipas pikës 1 të këtij neni, me marrjen e kërkesës së KQZ-së dhe brenda afatit të përcaktuar në të.
3. Në qoftë se organi i administratës publike, pa shkaqe të ligjshme, refuzon plotësimin e kërkesës ose nuk e plotëson atë në afat, KQZ-ja, në përputhje me nenin 172 të këtij Kodi, gjobit ose, sipas rastit, kallëzon për ndjekje penale personat përgjegjës të përcaktuar në nenin 4 të këtij Kodi.
Kaq është e mjaftueshme që Rusmali të mos e vërë në pozitën e fajtorit palën ankimuese, kur nuk ka provat nga SPAK, nga Gjendja Civile, apo nga gjithë institucionet publike, që nuk kanë detyrimin të japin informacion tek një parti politike.
Kodi Zgjedhor i detyron këto institucione që informacionin t’ia japin KQZ dhe KAS, si organi i përcaktuar nga ligji për të shqyrtuar ankimimet, është i detyruar të bëjë procedurën e mbledhjes së provave që klasifikohen nga institucionet publike.
Nëse KAS nuk i mbledh këto prova, por refuzon kërkesat e opozitës për mungesë provash, nuk kemi të bëjmë thjesht me një votë politike, nga një organ të zgjedhurish partiakë. Ky është rasti i shkeljes së Kodit Zgjedhor pikërisht nga ata që janë zgjedhur për të mos e lejuar shkeljen nga të tjerët. Ky është rasti që tregon se askush nga shërbëtorët e regjimit nuk i trembet ligjit, as kur shkelja bëhet në sy të publikut./Dosja.al
© SYRI.net