Hulumtuesit nga Cambridge kanë bërë hulumtime se si ndikon ushqimi në bllokimin e rritjes dhe përhapjes së qelizave të kancerit. Ata zbuluan se qelizat e tumorit të gjirit “ushqehen” me përbërësin ushqimor që quhet asparaginë, dhe i cili mund të gjendet në shparg, mishin e shpezëve, produktet e detit dhe ushqimet e tjera.
Studimi u krye në Institutin Cambridge në minjtë që kanë lloj agresiv të kancerit të gjirit. Minjtë zakonisht do të vdisnin brenda disa javëve për shkak se tumori do të përhapej në të gjithë trupin, por shkencëtarët u dhanë ushqim i cili e kishte një nivel të ulët të asparaginit ose barna që e bllokojnë këtë përbërës, kështu që tumori nuk u përhap, transmeton koha.net.
Asparagina është një aminoacid i cili e prodhon një bllok të proteinave të cilat gjithashtu i ushqejnë qelizat e kancerit.
“Ky është një shans i madh për ata pacientë tek të cilët është e vështirë te zbulohet se ku ndodhet kanceri”, tha prof. Greg Hannon.
Universiteti në Glasgow vitin e kaluar e bëri një analizë me të cilën demonstroi se me reduktimin e aminoacideve dhe glicinave ngadalësohet zhvillimi i kancerit të zorrëve dhe limfomës.
“Kemi konstatuar se kanceret specifike janë të varura nga komponentet specifike nga ushqimi ynë. Në të ardhmen shpresojmë që përmes modifikimit të ushqyerjes së pacientit ose përmes përdorimit të ilaçeve të cilat e ndryshojë mënyrën se si qelizat e tumorit mund t’u qasen këtyre përbërësve do t’i përmirësojmë rezultatet e terapisë”, shtoi Hannon.
Faza fillestare e tumorit nuk është vdekjeprurëse. Vetëm kur vjen deri tek metastaza shfaqen pasojat fatale. Qelizat e kancerit kalojnë nëpër ndryshime të mëdha për t’u përhapur – ndahen nga tumori kryesor dhe kalojnë përmes gjakut në pjesë të caktuara të trupit ku zhvillohen më tej. Shkencëtarët besojnë se asparagina e ka një rol të madh në këtë proces.
Tani pasojnë hulumtimet në njerëz, ndërsa shkencëtarët i këshillojnë pacientët e sëmurë me kancer që të mos shkojnë në dieta strikte, në të cilat do të heqin dorë plotësisht nga disa ushqime para se të konsultohen me mjekët.