Gazetare: Ajnur Bafqari
Qentë endacakë, “përplasin” kandidatët për kryetarë të Çairit, Izet Mexhiti dhe Bujar Osmani. Ky i fundit, si pjesë të fushatës, prezantoi një plan për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë, për çka tha se paraqesin një problem serioz për banorët e Çairit.
“Vizionin për Çairin e kemi të qartë, një zgjidhje sistematike dhe humane, plani është i thjeshtë dhe i realizueshëm, në komunën e Çairit nuk do të ketë më qenë endacakë, për shkak se prej ditës së parë, do të bëjmë shërbimin profesional që do i mbledh ato, do i sterilizon dhe nëpërmjet bashkëpunimit ndër komunal dhe me organizatat kompetente, do i trajtojmë në mënyrën më humane të mundshme”, tha Bujar Osmani, Kandidat për Kryetar të Çairit, AKI.
Por kundër kandidati i tij nga radhët e VLEN Izet Mexhiti, tha se Osmani nuk e ka idenë se çfarë po flet, se nuk është i njohur me problemet lokale dhe nuk i njeh kompetencat e institucioneve. Ai thotë se qentë endacakë janë në kompetenca të ndërmarrjes “Llajka” nën ombrellën e higjienës komunale, që drejtohet nga kuadër i BDI-së.
“Definitivisht Bujari nuk e din se ku kandidohet, nuk e njeh Çairin dhe nuk i njeh kompetencat…09:02 As nuk e din se është kompetencë e ndërmarrjes së higjienës komunale, as nuk e din se nuk është kompetencë e komunës së Çairit, pra njeriu është i humbur në hapësirë. E kanë detyruar të kandidohet këtu dhe nuk e din se përse ka kandidu dhe kandidohet për diçka që nuk e njeh”, tha Izet Mexhiti, kandidat për Kryetar të Çairit, VLEN.
Mexhiti dhe Osmani vazhduan fushatën në Çair duke prezantuar projekte para qytetarëve. Mexhiti para qytetarëve prezantoi planin për fasadat me efikasitet energjetik të banesave, për të cilat tha se parashihen subvencione nga ana e Komunës./Alsat.mk



