Gazetar: Avni Tahiri
“500, 600 denarë është rritja e pensioneve. Dhe ku i harxhove ato 500 denarë? Me 500 denarë, shkova të blija miell dhe nuk më mjaftuan”. Kështu shprehet i zhgënjyer një pensionist që sapo kishte marrë pensionin e këtij muaji. Me rritjen prej 5.3 % të pensioneve, këtij pensionisti thotë se i është shtuar pensioni për vetëm 500 denarë me të cilat para nuk mund të mbulojë shpenzimet e tij.
“Ajo që është rritur është si lojë me pensionistët. U deshtë të rritet me rritje lineare, atëherë po, ndërsa kështu me 500-600 denarë nuk është rritje pensionesh, këto duan të marrin pikë”, tha një pensionist.
Ndërsa Shoku i tij po ashtu pensionist thotë se i është shtuar për 1000 denarë më shumë këtë muaj. Por gjithashtu shprehet i zhgënjyer duke shtuar se pensioni i tij shkon vetëm për ushqim.
“Që të marr më orendi për shtëpi apo diçka tjetër nuk vjen parasysh, vetëm për ushqim sepse e dimë shtrenjtimin si është, shtrenjtë është edhe për mua edhe për ty njësoj, ti je kryeministër e merr me të njëjtin çmim si unë por unë me 20 mijë denarë ndërsa ti je me 3 mijë euro. Ka padrejtësi me pensionistët”, i’u drejtuat një pensionist direkt kryeministrit.
Gazetari: Dje kishit rritje të pensioneve.
Pensionisti: Po kishim. 1000 denarë mora më shumë.
Gazetari: Dhe për çfarë mund t’i harxhoni këto 1000 denarë?
Pensionisti: Në asgjë, asgjë. Me 1000 denarë deri në pazare, blej dy gjëra dhe shkojnë 1000 denarë.
Pensionistët për disa muaj më radhë protestuan duke kërkuar rritje lineare të pensioneve. Ministria e Punës kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se vihet në pikëpyetje stabiliteti i sistemit pensional. Palët ishin dakorduar për rritje pensionesh për 5.3 %. / Alsat.mk