Gazetare: Fatlume Dervishi
Ligji për prejardhjen e pronës, i trumbetuar si zgjidhje për uljen e korrupsionit, ekziston si draft prej kohësh por nuk dorëzohet për miratim në Kuvend. Nga qeveria thonë se janë duke e finalizuar atë me zgjidhjet të cilat mungojnë në versionin e fundit, në grupe pune me ekspertë ndërkombëtarë dhe të vendit. Propozimi është në kompetencë të kabinetit të zv.kryeministres për politikat e qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska.
“Është e rëndësishme që zgjidhjet në ligj të jenë precize, të qarta dhe të mos ketë përplasje ose kontradikta me zgjidhjet ligjore ekzistuese. Zgjidhja e re ligjore duhet të jetë e zbatueshme që të ketë efekte të mëdha në luftën kundër korrupsionit. Propozim-ligji sigurisht se do të dorëzohet te Komisioni i Venecias për mendim”, thonë nga Qeveria.
Nga Qeveria nuk na dorëzuan një draft version të këtij ligji por Alsat e siguroi atë përmes burimeve të tjera.
Sipas draft versionit, ligji për prejardhjen e pronës parashihet të rregullojë procedurën për pronën të cilët pronari nuk mund të vërtetojë se është nga burime ligjore. Organi kompetent për të ndjekur procedurën është Drejtoria e policisë financiare nëpërmjet Avokatit të shtetit. Me pronë nënkuptohet para, letra me vlerë, depozite, prona materiale ose jomateriale, përfshirë mjetet virtuale ligjore, prona të luajtshme ose të paluajtshme, të cilat janë brenda ose jashtë vendit, në pronësi të personave fizik shtetas të Maqedonisë së Veriut, shtetasve të huaj me qëndrim në Maqedoni, personave pa shtetësi me qëndrim në Maqedoni ose personave juridik të regjistruar në Maqedoni.
Drafti që kemi siguruar parashikon që dyshimet për pronë të fituar nga burime të jashtëligjshme mund t’i paraqesë secili institucion, person juridik apo secili qytetar, në Drejtorinë e Policisë Financiare.
“Vlera e pronës e cila nuk mund të vërtetohet se është nga burime ligjore tejkalon vlerën e 30 000 eurove në kundërvlerë të denarit, të llogaritur në periudhën prej një viti kalendarik”, thuhet në Draft-Ligji për prejardhjen e pronës.
Procedura do të zhvillohet nëpërmjet padisë në gjykatës civile.
Një ligj për prejardhjen e pronës u paralajmërua që në vitin 2021 nga ish zv.kryeministri për luftë kundër korrupsionit Lupço Nikollovski. Që në atë kohë e deri më tani, Komisioni për parandalimin e korrupsionit kërkon me ngulmë miratimin e shpejtë të tij që të mund të ketë bazë më të qartë për hetimin e dyshimeve për prona të jashtëligjshme të fituara në mënyrë korruptive./Alsat.mk