Qeveria shqiptare po shqyrton mundësitë që ka për të shlyer disa fatura, njëra prej të cilave kap vlerën e 100 milionë eurove, fatura që janë krijuar nga aventura të ndryshme të ndërmarra nga zyrtarët shqiptarë gjatë viteve të shkuara dhe që janë pasuar nga gjyqe arbitrazhi.
Një dokument i titulluar “Raporti i mesvitit mbi zbatimin e buxhetit 2020” , i cili është publikuar së fundmi në faqen e internetit të Ministrisë së Financave, shënon se Shqipërisë i nevojiten 109.5 milionë euro për të paguar faturat e tetë çështjeve, vendimet e së cilave janë marrë në dëm të shtetit shqiptar ose janë në proces. Nga të gjitha këto çështje, çështja “Hydro dhe të tjerët kundër Shqipërisë”, mbart faturën më të rëndë prej 99.5 milionë eurosh.
Gjyqet e arbitrazhit në përgjithësi zhvillohen në sekret të plotë dhe taksapaguesit rrallë herë marrin vesh se çfarë ka ndodhur. Të dhëna të përcipta mbi çështjen publikohen në faqen e gjykatës. Sipas këtyre të dhënave, vendimi i kompensimit për Becchettin është pranë ekzekutimit.
Urdhri i sekuestros dhe kërkesa për arrestimin e Beçhettit u bë temë e një debati politik në Shqipëri në vitin 2015 ku opozita politike dhe vetë Becchetti akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama se kishte orkestruar një sulm ndaj tij për shkak të vijës editoriale kritike të Agon Channel ndaj qeverisë së Ramës. Rama këmbënguli se qeveria po luftonte një skemë pastrimi parash.
Përveç detyrimeve ndaj vendimeve të gjykatave të arbitrazhit, taksapaguesit shqiptarë kanë edhe 4 miliardë lekë (rreth 33 milionë euro) detyrime të prapambetura për vendimet gjyqësore të formës së prerë të caktuara nga gjykatat shqiptare. Këto vendime janë kryesisht për shkak të pushimeve të padrejta nga puna por gjatë dy viteve të fundit po rritet edhe numri i kompanive private që hedhin në gjyq shtetin dhe fitojnë shuma të konsiderueshme./BIRN