Qeveria e Kosovës, kur e ndau buxhetin për vitin 2018, Ministrisë së Shëndetësisë ia dha 11 milionë euro më shumë, kërkesë kjo e ministrit të këtij sektori.
U tha se me këto mjete do të përmirësohet dukshëm sistemi i shëndetësisë, raporton KTV.
Por në fakt krejt këto miliona do të shkojnë për shpenzime jashtë vendit për trajtimin e pacientëve si dhe për rritjen e furnizimit me barna.
Kështu, sipas njohësve të kësaj fushe, nga këto mjete nuk do të ketë diçka pozitive për shëndetësinë, të cilën e vlerësojnë si “shëndetësi e sëmurë”.
Sipas tyre, ministria përkatëse do të ishte mirë që të mos i nxirrte gjithë këto miliona jashtë shtetit por të ndërtonte spitale dhe t’i mbante mjekët këtu.
Skeptik se ky sektor do të pësojë ndryshime me këtë fond është edhe Besim Kodra nga Shoqata e Farmacistëve të Kosovës, sipas të cilit, këto mjete do të shkojnë jashtë vendit.
Por drejtuesit e QKUK-së mendojnë se lajm i mirë është që mund të përmirësohet furnizimi me barna, për të cilat ky institucion ka vuajtur gjatë tërë vitit.
© KOHA.