Qeveria në Gaza ka paralajmëruar se Izraeli me pretekstin e një mekanizmi shpërndarjeje ndihmash ka planifikuar të “ngrejë kampe izolimi të detyruar të ngjashme me kampet e përqendrimit nazist” për palestinezët, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Zyra për media e qeverisë në Gaza ka refuzuar planet e Izraelit për të zgjeruar pushtimin e Rripit të Gazës.
“Ne refuzojmë në mënyrë kategorike planet e Izraelit pushtues për të krijuar kampe izolimi të detyruar si kampet e përqendrimit nazist përmes kontrollit dhe shpërndarjes së ndihmës humanitare brenda fushëveprimit të planeve sistematike të izolimit, në shkelje të të gjitha rregullave të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
“Planet e Izraelit janë një shembull çnjerëzor që është plotësisht i papranueshëm”, thuhet në deklaratën ku vihet theksi se ky plan bie ndesh me parime të tilla si drejtësia dhe dinjiteti njerëzor.
“Populli palestinez do t’i kundërshtojë këto plane kriminale me të gjitha fuqitë e tij”, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se plani izraelit synon ta shndërrojë ndihmën humanitare në një mjet bllokade, urie dhe nënshtrimi.
Duke iu drejtuar komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave të të drejtave të njeriut dhe atyre ligjore, në deklaratë bëhet thirrje për ndërhyrje urgjente për t’i dhënë fund kaosit që Izraeli po shkakton kundër popullit palestinez në Rripin e Gazës.
Më tej në deklaratë vendeve arabe dhe islame u kërkohet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre historike dhe humanitare dhe të ndalohen krimet e Izraelit, të tilla si gjenocidi, uria dhe izolimi, me qëllim shpëtimin e popullit palestinez në Gaza.
– Plani për zgjerimin e pushtimit në Gaza
Kabineti izraelit i sigurisë miratoi një plan për të zgjeruar sulmet ndaj Gazës. Plani përfshin pushtimin e më shumë rajoneve në Gaza dhe zgjerimin e “zonave tampon”.
Gjithashtu plani përfshin që ushtria izraelite të mos tërhiqet nga territoret e pushtuara dhe që palestinezët të zhvendosen me forcë në jug të Gazës.
Duke folur për mediat vendase pasi u miratua plani, ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich tha se “ata do ta pushtojnë Gazën përgjithmonë”.