Qeveria e Kosovës nuk ka mundur të arkëtojë në kufi të hyrat buxhetore që janë planifikuar të realizohen në dy muajt e parë të vitit. Madje, nga ky burim arkës së shtetit i ka çuar më pak para sesa në periudhën e njëjtë të vitit të shkuar, shkruan sot Koha Ditore.
Taksat kufitare përbëjnë burimin kryesor të të hyrave buxhetore. Performanca negative e mbledhjes së tyre është evidentuar në raportin për të hyrat dhe shpenzimet për muajin janar dhe shkurt, i cili është miratuar të martën nga Qeveria. Kjo, pavarësisht se dokumenti evidenton të dhënën se vlera e importeve për këta dy muaj është rritur për 4.3 për qind.