Qeveria e re me avazin e vjetër

Ditët e fundit në Kosovë janë shoqëruar me emra të rinj në Qeverinë e Ramush Haradinaj, e kjo për faktin se janë duke u bërë publike emrat e zëvendës ministrave të cilët do të ndihmojnë ministrit në punët e tyre, shkruan Zeri.info

Me avazin e vjetër po vazhdon edhe Qeveria Haradinaj e cila po kontribuon çdo ditë në prurjen e emrave të rinj në Qeveri. Numri 50 i zëvendës ministrave është shifra që Haradinaj, duhet ta kaloj, për të bërë më shumë zëvendës ministra sesa Qeveria paraprake.

Për një ministri nuk do të ketë vetëm një zëvendës por, mund të ketë edhe nga secila parti nga një zëvendës. Kjo për faktin sepse deri më tani vetëm për Ministrin e Arsimit janë bërë publik dy zëvëndes ministra.

Ministrit aktual të Arsimit, Shyqiri Bytyqit do të i ndihmojnë si zëvendës ministra Muharrem Nitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Arbër Geci nga Aleanca Kosova e Re.

Magbule Shkodra është emri tjetër që ka gëzuar detyrën si zv. Ministre e Zhvillimit Rajonal.

E nga radhët e komuniteteve Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ditë më parë në mbledhjen e Qeverisë ka emëruar zëvendësministrat nga komunitetet.

“Unë kam emëruar zëvendësministrat nga komunitetet në bazë edhe të marrëveshjeve politike të rënë dakord. Kjo është një dëshmi për kujdesin tonë edhe për qëllimin tonë që Kosova të jetë vendi i të gjithëve”, ka thënë Haradinaj.

Zyra për komunikim publik e Qeverisë Haradinaj në një përgjigje për Gazetën Zëri ka thënë se numri i zëvendës ministrave është në marrëveshje politike mes koalicionit Qeverisës.

“Kjo është çështje e marrëveshjes politike mes partnerësh të koalicionit qeverisës”, kanë thënë shkurt ata, në përgjigjen e Zerit se a ju duhet kaq zëvendës secilës ministri.

Opozita: Numri i madh i zëvendës ministriave është si pasoj e përmbushjes së ‘apetitit’ për poste
E në anën tjetër opozita e vendit, numrin kaq të madh të zëvendës ministrave e sheh si vazhdimësi e kapjes së shtetit, e cila po reflekton edhe në numrin e personave pjesëmarrës së kësaj Qeverie. Sipas tyre e tërë kjo gjë po ndodh për vetë faktin që Qeveria është e dobët e fragjile, dhe për të qëndruar sa më shumë në pozitë, duhet të ofroj sa më shumë poste, pjesëmarrësve të koalicionit.

Mimoza Kusari Lila nga Alternativa në një prononcim për Zërin ka thënë se numri kaq i madh i zëvendës ministrave, tregon vetëm vazhdimin e kapjes së shtetit.

“Një numër kaq i madh i zv.ministrave që po vazhdon nuk tregon asgjë më tepër sesa vazhdimin e kapjes së shtetit për interesa të partive politike, sepse roli dhe funksioni i tyre është totalisht i panevojshëm në këtë numër që është duke u bërë”, ka thënë Kusari Lila.

Sipas saj një zëvendës për një ministri do të ishte normal.

“Më tepër se një zv.ministër për një ministri është i kot dhe shpenzim totalisht i pa nevojshëm i buxhetit të shtetit, përveç që është hartim i individëve të anëtareve të partive politike në këto pozita”, përfundoi Kusari Lila.

Edhe Haxhi Abdyli deputet nga radhët e LDK-së konsideron se një gjë e tillë është degradim dhe po bëhet për përmbushje të apetit për poste.
“Mendoj që emërimet të cilat po i bënë qeveria Haradinaj kanë degraduar edhe më shumë me shtimin edhe të ministrive po edhe të zv.ministrave, koalicioni që përbëhet nga 22 parti normalisht tani është Qeveri e përmbushjes së apetitve për poste”, ka thënë ai për Zerin.

Sipas tij kjo Qeveri edhe pse që nga themelimi nuk ka pas program të mirëfillte qeveritar, ka qenë Qeveri e ndarjes së posteve dhe tani po vërtetohet që këto pazare politike po përmbushen përmes të ndarjes së posteve.

Njësoj mendon edhe Ismajl Kurteshi nga Vetëvendosje i cili ka thënë për Zerin, se kjo gjë do të i kushtoj Kosovës me shpenzime enorme.
“Ajo që po ndodh këto ditë nga koalicioni qeverisës është orientimi drejt shpenzimeve enorme që po ndodhin edhe në Qeveri edhe në Kuvend”, ka thënë ai.

Sipas tij një gjë e tillë është e pa pranueshme dhe e pa arsyeshme.
“Është krejt e pa pranueshme me pas kaq ministri sa i ka, dhe aq zv.kryeminisitra që e ka 4 ndërsa për zëvendës ministra, mendoj që ky numër është krejt i pa arsyeshëm, disa ministri e kuptoj që kanë nevojë për një zv.ministër por disa tjerë nuk kanë fare”, ka thënë Kurteshi.

Sipas tij kjo po ndodh për shkak të përbërjes së Qeverisë e cila po mundohet të mbetet në këmbë, por që kështu vlerëson ai, ata po shkaktojnë vetëm dëme buxhetore por edhe dëme të tjera përtej rrogave të këtyre zv.ministrave.

Abazi: Shumica e ministrive pa përzojë dhe jo adekuat
Haki Abazi njohës i çështjeve politike tërë këtë proces e sheh si një përzierje e personave jo adekuat e pa përvojë, të cilët nuk janë të përgatitur për të udhëhequr ministri.

“Nga marrëveshja e nënshkruar ndërmjet partive politike për qeverinë është gati e kuptueshme se ka një përzierje dhe shumica e ministrave janë pa përvoje dhe nuk mund të presim që po të njëjtat parti të nominojne njerëz më të përgatitur se sa vet ministrat”, ka thënë Abazi në një prononcim për Zerin.

Sipas tij kjo marrëveshje qeverisëse në fakt i ka sjellë disa parti të ekspozohen që nuk kanë njerëz të përgatitur.

“Është krizë e përgjithshme për ministra të zotë e të përgatitur. As qeveria e kaluar nuk ka pasur ministra të zotë”, u shpreh Abazi.

Ai mendon se problemi qëndron tek strukturimi për brenda Qeverisë që është bërë vend pune dhe jo përgjegjësi./Zeri

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme