Lista Serbe ka marrë vendim të dalë nga Qeveria e Kosovës dhe tani kryeministri Ramush Haradinaj ka mbetur me “qeveri të pakicës”, por pavarësisht kësaj ai është shprehur i sigurt se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.
Ndërkohë, opozita nuk shpreh ambicie për rrëzimin e Qeverisë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Lista Serbe të martën ka marrë vendim për të dalë nga Qeveria e Kosovës në shenjë proteste ndaj arrestimit të shefit të së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, pasi kishte hyrë në veri të Mitrovicës pa lejen e autoriteteve kosovare. Kështu koalicioni qeverisës nuk e ka shumicën në Kuvend pasi ka vetëm 53 deputetë.
Megjithatë, kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur i sigurt se Qeveria e drejtuar nga ai nuk do të rrëzohet dhe se nuk do të ketë zgjedhje të reja.
Në anën tjetër, subjektet opozitare nuk shprehin pretendime për ngritjen e iniciativës për rrëzimin e Qeverisë, gjë të cilën e kanë kërkuar javët e fundit. Kurse analistët politikë thonë se edhe në të kaluarën në Kosovën kanë funksionuar qeveri të pakicës, prandaj ata thonë se vështirë se do të ketë zgjedhje në këtë kohë