Serbia ka shfrytëzuar situatën emergjente me pandeminë COVID-19 për të funksionalizuar strukturat paralele të saj në komunat veriore të Kosovës.
Kjo ka ndodhur mbrëmë, kur nga ora 18:00 të gjitha komunat veriore të Kosovës janë futur në karantinë për shkak të situatës së krijuar me koronavirusin, shkruan lajmi.net.
Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, i cili tha se vendimi është marrë nga Shtabi i Krizës, duke thënë se asnjë qytetar nuk do të lejohet të dalë as të hyjë në këto hapësira.
Në anën tjetër, për këto veprime të Serbisë mbi komunat veriore të Kosovës nuk ka pasur asnjë reagim nga qeveria e Kosovës në detyrë.
Në veri të Kosovës aktualisht janë 20 raste me koronavirus, duke llogaritur edhe 3 raste të konfirmuara mbrëmë pas mesnatës prej të cilave 19 janë raste aktive dhe një rast ka përfunduar me fatalitet.
Heshtja e qeverisë për këtë që ka ndodhur në veri të vendit është adresuar mbrëmë edhe nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.
Ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka akuzuar kryeministri në detyrë Albin Kurti se nuk po e ka problem dhunimin e sovranitetit të Kosovës.
“Kryeministri i shkarkuar, Albin Kurti, duket qartazi se nuk e ka problem dhunimin e sovranitetit që po i bëhet Kosovës nga Serbia, por është i preokupuar dhe i obsesionuar me veten e tij dhe partinë e tij. Por, ai duhet ta kthejë vëmendjen kah problemet reale që ka para vetes, dhe të marrë masa urgjente, t’i dërgojë në veri përfaqësuesit e institucioneve tona, qoftë të sigurisë, qoftë shëndetësore, për çkado që qytetarët e asaj pjesë kanë nevojë. Prezenca e institucioneve të Kosovës është e domosdoshme atje. Sikur Albin Kurti vetëm gjysmën e energjisë që shpenzonte për akuzat ndaj të tjerëve në relacion me Serbinë, sa ishte në opozitë, ta vinte tash në funksion, situata në terren do të ishte ndryshe. Por, kjo është hipokrizia e tij e radhës.”, tha Tahiri.
Në anën tjetër, numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në Kosovë ka arritur në 135.