Qeveria italiane ka konfirmuar se me datë 1 korrik do të mbërrijnë emigrantët e parë në dy qendrat e pritjes në Gjadër dhe Shëngjin, duke zbatuar kështu marrëveshjen e nënshkruar mes dy shteteve (Shqipëri-Itali) më 6 nëntor 2023.
Lajmi bëhet i ditur nga vetë shteti italian pas vizitën së Nënsekretarit të Shtetit në Kryesinë e Këshillit, Alfredo Mantovano në këto dy qendra.
“Ne kemi qenë në gjendje të verifikojmë përputhshmërinë e plotë me planin dhe vlefshmërinë e këtij modeli inovativ për menaxhimin e flukseve të migracionit të paligjshëm, të cilin vendet e tjera evropiane, kryesisht Gjermania, po e vëzhgojnë nga afër,” tha Alfredo Mantovano.
Ndërkohë qeveria italiane në një njoftim zyrtar për vizitën e zyrtarit të lartë thotë se është konfirmuar respektimi i plotë i afateve, ashtu siç e deklaroi edhe kryeministrja Giorgia Meloni gjatë vizitës së saj në Shqipëri më 5 qershor.
“Nënsekretari Mantovano, pasi vizitoi qendrën e parë të pritjes në Shëngjin dhe qendrën e paraburgimit në Gjader, takoi personelin e Inxhinierëve Ushtarakë të Forcave Ajrore, të cilët po operojnë pa ndërprerje”.