Gazetar: Miki Trajkovski
Derisa Qeveria mburret me vendosjen e linjave të reja ajrore nga Aeroporti i Ohrit, të tilla si ajo nga dhe për në Stamboll, e cila u promovua vetëm disa ditë më parë, punonjësit e turizmit thonë se disa operatorë të mëdhenj turistikë, të cilët sezonet e fundit turistike sollën mijëra turistë në Liqenin e Ohrit, po anulojnë ose zvogëlojnë aranzhimet për në Ohër.
“Mund të konkludoj se një nga operatorët turistikë më të mëdhenj holandezë në vitin 2025 nuk do të operojë me destinacionin tonë. Në vitin 2019, kishte çartera nga maji deri në tetor çdo ditë, dhe gjatë atij viti, 13.500 turistë mbërritën në Maqedoni përmes atij operatori dhe gjeneruan më shumë se 100.000 bujtje. Mirëpres përpjekjet e Qeverisë për të sjellë më shumë turistë përmes udhëtimeve rrethorre jashtë sezonit”, deklaroi Ljupço Janevski-punëtor turistik.
Janevski shton se ka pasur rënie të operacioneve të operatorëve turistikë polakë në Aeroportin e Ohrit dhe se aeroportet në Beograd dhe Tiranë po marrin përsipër primatin. Sipas tij, është e nevojshme që Ohri të cilësohet me brend si destinacion turistik.
“Nëse Aeroporti i Tiranës në sezonin 2024 arriti rekord prej 150-160 fluturimesh brenda ditës, e gjithnjë e më shumë qytetarët tanë nga pjesa perëndimore e Maqedonisë përdorin aeroportin e Tiranës për fluturime të lira me kosto të ulët në destinacione të tjera, mund të konkludojmë se operatorët turistikë do të drejtohen gjithashtu në Aeroportin e Tiranës, ndërsa Maqedoninë do ta vendosin gjithnjë e më shumë si destinacion ekskursioni një ose dy-ditor në udhëtime rrethore”, shtoi Ljupço Janevski-punëtor turistik.
Autoritetet maqedonase janë optimiste se linja e re ajrore Ohër-Stamboll do të sjellë më shumë mysafirë nga pjesë të ndryshme të botës. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, thotë sepolitika e re e ndjekur nga Qeveria në zhvillimin e trafikut ajror jep rezultatet e dëshiruara dhe i jep një dimension të ri zhvillimit të aeroporteve vendore.
“Kjo linjë e drejtpërdrejtë do të thotë shumë për turizmin, por edhe për zhvillimin e biznesit, sepse shumë fluturime lidhëse do të kalojnë përmes Aeroportit të Stambollit. Njoh njerëz që kanë blerë bileta nga Sidnei dhe Uashington për në Ohër dhe kjo është diçka që paraqet mundësi të madhe për të gjithë rajonin. Dhe sigurisht, me përfundimin e autostradës, së pari me pjesën Ohër- Kërçovë, pastaj Kërçovë-Bukojçani, Bukojçani-Gostivar, Gostivar-Tetovë është një lidhje e plotë autostradore, me të cilën mendoj se aeroporti në Ohër do të ketë dimension krejtësisht të ri dhe shumë më tepër pasagjerë”, u shpreh Aleksandar Nikolloski – ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
“Zhvillimi i linjave të reja ajrore nuk është vetëm një çështje teknike, por një investim strategjik në të ardhmen e ekonomisë sonë, turizmit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Në Aeroportin e Ohrit për momentin ka vetëm pesë linja të rregullta ajrore, deri në Stamboll, Curih, Memingen dhe Dortmund, në Gjermani dhe Vjenë. Së shpejti, sërish sipas paralajmërimeve duhet të fillojë edhe linja deri në Bazel. Në vitet e kaluara nga Ohri fluturohej edhe deri në Milano, Malme dhe destinacione të tjera, por të njëjtat janë anuluar. Gjatë periudhës së verës ka komunikacion të rritur, për shkak të disa avionëve çarter nga Holanda, Serbia dhe Anglia, si dhe destinacione të tjera, por sipas regjimit të shpallur veror të komunikacionit, deri tani nuk ka linja deri në Poloni, që gjatë verave të kaluara sillnin mijëra turistë në Ohër dhe Strugë. /Alsat.mk