Qeveria e Kosovës në një mbledhje të mbajtur të premten në mbrëmje ka miratuar raportin e Komisionit për matjen e territorit të Kosovës. Po nuk ka treguar se kur do e ka ndërmend ta procedojë në Kuvend për ratifikim, raporton Koha.net.
“Kosova nuk humb asnjë metër territor me demarkacionin me Malin e Zi”.
Kështu ka thënë kryetari i komisionit për matjen e territorit, akademik Hivzi Islami, në cilësinë e kryetarit të Komisionit, në mbledhjen që Qeveria e Kosovës ka mbajtur të premten mbrëma lidhur me shqyrtimin e Raportit të matjes së territorit.
Islami tha në mbledhjen e Qeverisë se Komisioni s’ka pasur mandat të bëjë kufij të ri, por thjesht me metoda shkencore të bëjë matjen e territorit të vet.
Duke aluduar në deputetin Shpejtim Bulliqi e Florim Isufin, të dy gjeografë Islami tha se “dy studentët e tij ia futën barutin Kosovës”. Tha edhe se injorantët e keqpërdorën shkencën dhe u vunë në shërbim të politikave ditore.
Derisa e ka prezantuar raportin, kryeakademiku Islami tha se Komisioni pati përgjegjësi të madhe dhe punoi pa ndikime politike.
“Por gjatë punës, Islami tha se pati shantazhe ndaj anëtarëve njëri prej të cilëve, u detyrua të japë dorëheqje në fund të procesit”, ka thënë ai.
Se territori i Kosovës nuk cenohet me këtë demarkacion, kanë thënë edhe kryeshefi i Agjencisë së Pyjeve, Ahmet Zejnullahu dhe ai i AKP-së, Petrit Gashi.
Ministri i jashtëm Enver Hoxha, e ka cilësuar komisionin kredibil teksa ka thënë se puna e tij është në rrjedhën e burimeve ndërkombëtare.
Zëvendëskryeministri Kuqi, ka tërhequr vëmendje që problemi, nga i brendshëm të mos bëhet problem mes Kosovës dhe Malit të Zi. Sipas tij, ka nevojë për një konsensus edhe me spektrin tjetër politik, pos koalicionit qeveritar rreth kësaj çështjeje.
Në fund të mbledhjes është miratuar raporti, pa u përmendur se kur do të procedohet në Kuvend.
© KOHA.