Qeveria mori vendim për vendosjen e marzhës për 102 grupe të produkteve, të cilat përfshijnë rreth 1000 produkte.
5% marzhë të fitimit bruto do të ketë për tetë produkte ushqimore dhe atë për bukën, miellin, vezët, qumështin, vajin për gatim, jogurtin dhe kosin.
10% marzhë bruto të fitimit për 55 produkte dhe atë për mishin dhe produktet e mishit, sheqerin, prodhimet e qumështit, gjalpin, fruta- perimet e konservuara, fasulen, orizin, brumërat e të tjerë.
15% marzhë të fitimit është vendosur në 39 produkte ushqimore dhe pajisje higjienike dhe atë në fruta-perime të freskëta, detergjente, ushqime për fëmijë, produkte higjienike e të tjerë.
“Dy vendimet do të hyjnë në fuqi ditën e ardhshme pasi të publikohen në Gazetën Zyrtare, dhe do të vlejnë deri më 30 prill. Pritshmëritë tona janë se me këto dy vendime çmimet e produkteve ushqimore të cilat janë përfshirë në vendim, do të ulen rreth 10%, përpos tetë produktet ushqimore bazë të cilat pritet të mbeten në nivelin e njëjtë, përkatësisht të mos rriten çmimet apo të ketë një ulje minimale të çmimeve të këtyre tetë produkteve”, tha Marjan Risteski – Zv.ministër i Ekonomisë.
Produktet e grupit të parë me marzhë prej 5% nga nesër do të shiten me çmime maksimale varësisht sa kanë kushtuar më datë 1 shkurt. Siç njoftoi zv.ministri Risteski, analizat e Inspektoratit të Tregut kanë treguar se tregtarët me shumicë dhe pakicë kanë llogaritur marzha bruto të fitimit prej 20 deri 25% për shitje me pakicë, ndërsa 20 deri 50% për shitje me shumicë. Javën e kaluar Oda e Tregtarëve kërkoi takim urgjent me Qeverinë. Kërkuan që në vend të 1000 produkteve, në masë të hyjnë maksimumi 200. Kjo për arsye se siç thanë, harxhimet e tyre bazë lëvizin nga 12 deri në 15% dhe me këto masa të Qeverisë, rrezikohet mbyllja e marketeve./Alsat.mk