Qeveria nuk sheh asnjë presion pas paralajmërimit të aksionit të fuqishëm në gjyqësor

Gazetar: Mihajllo Donev

Qeveria nuk sheh asnjë presion pas paralajmërimit të aksionit të fuqishëm në gjyqësor, pasi dje kryetarja e dorëhequr Vesna Dameva si një nga arsyet e dorëheqjes e cilësoi presionin politik. Nga qeveria thonë se fakti që do të punojnë për përmirësimin e gjendjes në gjyqësor nuk do të thotë presion dhe vlerësojnë se dorëheqja e Damevës është për t’u përshëndetur.

“Pikat negative që kishim si shtet erdhën nga mungesa e drejtësisë në përgjithësi dhe nga numri i madh i skandaleve që ndodhën atje. Ajo që do të thotë informacion për kushtet ashtu siç janë, informacion se do të kemi luftë vërtet të fortë ndaj gjendjeve që ekzistojnë në gjyqësor, nuk i vlerësojmë si presion. Atë që ish-kryetarja e këshillit gjyqësor e tha në publik dhe dorëheqjen e saj e vlerësojmë si gjëja më e përshtatshme që mund të kishte ndodhur pas gjithë skandaleve”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e Qeverisë.

Nga ana tjetër, sipas opozitës, qëllimi i vetëm i pushtetit me këtë veprim është partizimi i gjyqësorit.

Paralelisht me zhvillimet në Këshill, zhvillohen edhe debatet publike në gjykata nën organizimin e Ministrisë së Drejtësisë, konkluzionet e të cilave do të jenë bazë për Ligjin e ri për Këshillin Gjyqësor. Tryeza e sotme e rrumbullakët në të cilën morën pjesë më shumë gjykatës është mbajtur në Shtip.

Nga atje sekretari shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë dorëheqjen e Damevës e quajti folklor politik.

“Në skadimin e mandatit, dorëheqja e parevokueshme është në fakt manovër politike dhe është folklor politik. Lidhur me këtë, mund të them vetëm se lëvizjen që e bëri është e mirë sepse më në fund kanë guxuar të jenë shembull se të gjithë ata që janë të përfshirë në instancat më të larta gjyqësore do të mbajnë përgjegjësi nëse nuk veprojnë në përputhje me rregulloret pozitive ligjore”, deklaroi Dejanço Eftimov, Sekretar Shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë.

Ndryshe, Ligji i ri për këshillin gjyqësor duhet të miratohet në qershor të vitit të ardhshëm. Një nga ndryshimet më të rëndësishme me këtë ligj duhet të jetë rritja e kritereve për zgjedhjen e një anëtari të këshillit – pra për një anëtar të këshillit nga radhët e gjykatësve të zgjedhur nga Kuvendi, ai duhet të jetë gjykatës me 15 vjet përvojë pune, në vend të gjashtë viteve të deritanishme, ndërsa anëtarët e këshillit me të paktën 20 vjet përvojë, do të mund të propozojnë edhe Oda e Avokatëve si dhe konferenca ndëruniversitare, gjë që deri më tani nuk ka ndodhur. Në të njëjtën kohë, raporti vjetor për këshillin gjyqësor ngeci në Kuvend. Nëse ligjvënësi konfirmon vendimin për mosmiratimin e raportit, atëherë hapet rruga për interpelancë ndaj anëtarëve të zgjedhur të këshillit nga Kuvendi. Sipas informacioneve të Alsat, kjo mund të ndodhë para vitit të ri. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme