Shteti nuk do të ketë aksione në termocentralin që do të ndërtohet në kuadër të projektit “Kosova e Re”, sipas marrëveshjes së arritur mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane “Contour Global”, shkruan sot Koha Ditore.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka njoftuar lidhur me pikat e marrëveshjes së arritur, ku, veç të tjerash, thuhet se projekti do të jetë tërësisht investim privat, edhe pse gjatë negociatave është diskutuar që edhe Qeveria do ta marrë përsipër një pjesë të investimeve dhe aksioneve në këtë projekt.
“Qeveria e Kosovës nuk ka paraparë asnjë lloj pjesëmarrjeje në aksionet e termocentralit ‘Kosova e Re’.
Mirëpo në marrëveshjet e arritura kjo çështje ka ngelur e hapur dhe në vullnetin e Qeverisë së Kosovës nëse do të kontribuojë në forma të ndryshme në projektin e termocentralit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.