Qeveria ka katër fotografë dhe tre kameramanë, plus çdo ministër ka personin e tij që e fotografon në evente zyrtare, konferenca shtypi, pritje, udhëtime dhe takime. Në profilet në Facebook, Instagram dhe Twitter të Qeverisë, Kryeministrit, Ministrave dhe Ministrive, çdo ditë publikohen disa galeri me foto të aktiviteteve të tyre, e ndonjëherë dalin edhe foto paparaco, se gjoja kryeministri ha tost, ministrat fluturojnë me fluturime komerciale, shëtisin rastësisht nëpër qytet dhe të ngjashme, shkruan Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.
Të njëjtat foto dërgohen edhe në media së bashku me një kumtesë. Gjithashtu, Qeveria dhe disa ministri dërgojnë video materiale të ngjarjes ku merr pjesë kryeministri apo ministri, të incizuara nga operatorë që paguhen me para nga buxheti i shtetit. Shpesh herë, foto dhe njoftime nga Qeveria dhe ministritë dërgohen nga i njëjti eveniment ku marrin pjesë ministrat dhe kryeministri.
Gjatë vizitave zyrtare të mysafirëve të huaj që priten para Qeverisë, në pllajë ka më shumë fotografë të qeverisë, se sa nga mediat. Kështu ndodhi gjatë vizitës së fundit të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 26 tetor. Të gjithë ministrat ishin rreshtuar para Qeverisë për pritjen dhe të gjithë kishin fotografin e tyre që i fotografonte duke shtrënguar duart me mysafirin. Ata ishin pozicionuar në një mënyrë të tillë për të kapur pamje të mirë që do të kënaqte shefin ose shefen e tyre, dhe kameramanët dhe fotoreporterët nga mediat e akredituara ishin zhvendosur më prapra.
“Çdo foto e qeverisë është foto e censuruar – foto e vërtetë gazetareske – nuk ka”, thonë ata pak fotoreporterë profesionistë që kanë mbetur duke punuar në mediat profesionale.
“Profesioni i fotoreporterit po vdes, nuk ka fotoreporterë të rinj, kanë mbetur vetëm ata kolegët tanë që tani vrapojnë pas ministrave për t’i fotografuar sikur të ishin në dasmë dhe pastaj t’u miratojnë fotot nëse janë bukur për Instagramin”, thonë fotoreporterët profesionistë të cilët shqetësohen se do të humbasin punën.
Më herët në media kanë punuar mbi 40 fotoreporterë, ndërsa tani janë mezi një duzinë. Pak media punësojnë fotografë profesionistë në redaksi kur Qeveria, ministritë, komunat u shërbejnë gjithçka.
Nga Qeveria dhe ministritë nuk shohin asgjë të diskutueshme në punësimin e fotografëve, por thonë se duhen për punë transparente.
“Fotografët dhe operatorët kryejnë detyra saktësisht të përcaktuara që kanë të bëjnë me aktivitetet e Kryetarit të Qeverisë dhe Zëvendëskryeministrave për politikat për qeverisje të mirë dhe për çështje ekonomike, koordinimin e departamenteve ekonomike dhe investimeve. Për to ndahen 1.309.304 denarë në vit. Qeveria zbaton në mënyrë të vazhdueshme politikën e saj të transparencës aktive, e cila përveç publikimit të të dhënave, nënkupton edhe informim të rregullt nëpërmjet njoftimeve, fotove dhe video materialeve. Qytetarët dhe mediat janë ato që vendosin se çfarë është në interesin e tyre. Me praktikën e krijuar, Qeveria u përgjigjet mediave që shpeshherë i përdorin këto materiale për të informuar publikun, veçanërisht për ngjarjet jashtë vendit që janë me rëndësi për shtetin. Qeveria vlerëson dhe mbështet fuqimisht punën e mediave dhe gazetarëve dhe pavarësinë e tyre dhe transparenca jonë aktive është motiv për më shumë histori investigative”, u përgjigjën nga qeveria.
Edhe zëvendëskryeministrja për qeverisje të mirë Sllavica Gërkovska nuk konsideron se kjo praktikë është e dëmshme për mediat, por është në drejtim të transparencës “që nënkupton informim në kohë të mediave, por edhe të qytetarëve për punën e tyre dhe aktivitetet e përditshme, që është një parakusht bazë për qeverisje të përgjegjshme.
“Si rezultat i këtij përcaktimi, Qeveria ka maksimum 100% transparencë aktive, pra publikon të gjithë informacionin e dhënë nga transparenca aktive, sipas renditjes së rregullt vjetore të institucioneve sipas indeksit të transparencës aktive të Qendrës së komunikimeve civile. Zhvillimi teknologjik që mundëson një mënyrë të re të komunikimit me qytetarët, përmes mediave sociale, por edhe nevoja që mediat dhe qytetarët të kenë informacion të shpejtë, në kohë, të saktë dhe të plotë për punën e Qeverisë, imponon nevojën e punësimit të kameramanëve dhe fotografëve, të cilët mundësojnë informim kompetent përmes njoftimeve, fotove dhe video materialeve. Kjo mënyrë e punës është në interes edhe për mediat, të cilat si rezultat i kësaj transparence kanë mundësi të bëjnë analiza, hulumtime dhe histori”, thonë nga zyra e Gërkovskës, nga ku shtojnë se zëvendëskryeministrja nuk ka fotografë të saj, por përdor personat që angazhohen nëpërmjet Sekretariatit të përgjithshëm.
Pyetje se sa fotografë kanë të punësuar Sdk u ka dërguar edhe ministrive. Dhe prej andej përgjigja është e njëjta se janë punësuar për hir të transparencës në punë. Disa ministri janë përgjigjur se nuk kanë fotograf të punësuar, por se ministri fotografohet nga punonjës në pozicione të tjera në ministri ose njerëz të kabinetit të tij.
“Ministria e Kulturës nuk ka fotograf apo kameraman zyrtar, as me marrëdhënie të rregullt pune dhe as me kontratë. Në kuadër të Ministrisë së Kulturës funksionon Reparti për mbështetjen logjistike, i cili ndër të tjera është përgjegjës për fotografimin e takimeve protokollare apo aktiviteteve të tjera të punës së ministrit, zëvendësministrit, sekretarit të shtetit apo drejtuesve të tjerë në Ministri. Sigurimi i fotove të takimeve dhe ngjarjeve të Ministrisë së Kulturës është funksion i një transparence më të madhe në funksionimin dhe dokumentimin e veprimtarisë së institucionit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka punësuar një kameraman dhe një fotograf me kontratë me afat të caktuar. Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk ka person të veçantë të punësuar për fotografim apo incizim, por këto aktivitete, sipas nevojës, kryhen nga ndonjë person në radhët e të punësuarve.
Në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, një fotograf dhe një kameraman janë të punësuar me kontratë.
Një fotograf dhe një kameraman janë të punësuar në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe vetëm një kameraman në Ministrinë e Ekonomisë.
“Për hir të informimit në kohë, transparencës më të madhe dhe njohjes më të mirë të publikut me projektet e realizuara nga Ministria e Transportit dhe lidhjeve në fushën e rrugëve dhe infrastrukturës hekurudhore, ndërtimin e gypave të ujit dhe kanalizimeve, si dhe projektet në në zonën e trafikut ajror, një kameraman dhe një fotograf janë angazhuar për dërgimin e materialeve nga puna e ministrisë. Duke qenë se natyra e punës së kësaj ministrie është në terren, përkatësisht projektet realizohen në të gjithë territorin e vendit, personat e angazhuar përmes aktiviteteve në terren informojnë qytetarët në kohën e duhur për qëllimin, nevojën dhe dinamikën e realizimit të projekteve”, tha Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
Nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe kabineti i zv.kryeministrit Artan Grubi thanë se nuk kanë punësuar fotografë, por të gjithë punonjësit kryejnë detyra shtesë, ndaj kur është e nevojshme i fotografojnë edhe shefat e tyre.