Qeveria serbe përkrah Vuçiqin: Nuk duam luftë të re për Kosovën

Qeveria e Serbisë i ka dhënë mbështetje presidentit Aleksandar Vuçiq, pas deklaratës së kreut të shtetit se do të luftojë kundër mbajtjes së konfliktit të ngrirë me Kosovën, sepse nuk dëshiron luftëra të reja.

Serbia duhet të bëjë gjithçka për të parandaluar konflikte të reja me autoritetet e Prishtinës dhe presidenti Aleksandar Vuçiq e ka mbështetjen e ka mbështetjen e ministrave të Qeverisë së Serbisë, sepse, siç thonë ata, tash më së paku ju duhen konfliktet dhe një luftë për Kosovën, raporton gazeta serbe “Kurir”.

Presidenti serb më parë ka thënë se do të bëjë çmos për të luftuar ndaj qëndrimit të 80 për qind të popullatës, që mendojnë se Serbia duhet ta mbajë konfliktin e ngrirë, përcjell Telegrafi.

“Sepse, një ditë kur të shkrihet [konflikti], nuk dua të jem përgjegjës për një luftë të re dhe nuk dua që kjo të ndodhë në Serbi. Nuk do të marrë një vendim kundër popullit tonë, por do të përpiqem për të bindur shumicën se paqja dhe stabiliteti janë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër”, tha Vuçiq.

Ministri i Jashtëm Ivica Daçiq thotë se konfliktet e hapura janë diçka që më së paku i duhet Serbisë, por nuk do të pajtohen me poshtërim.

“Të gjitha përpjekjet e udhëheqjes shtetërore tregojnë se Serbia është e vendosur të kapërcejë konfliktin e ngrirë. Vuçiq ka të drejtë kur thotë se kjo nuk do të jetë aspak e lehtë, por kjo nuk do të thotë se është e pamundur. Nuk duam të rrezikojmë konfliktet në rajon. Megjithatë, edhe zotërinjtë në Bruksel duhet të dinë se ne nuk jemi fëmijë, të cilëve do t’u japin një sheqerkë, për shkak se na kanë thënë ‘do të anëtarësoheni në BE’ dhe pastaj ne të harrojmë Kosovën”, tha Daçiq.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq beson se në kushtet komplekse gjeopolitike, Serbia duhet të gjejë mënyrën më të mirë për të siguruar mbijetesën dhe përparimin e saj.

“Kemi nevojë për një zgjidhje të përhershme për çështje të hapura në rajon, në mënyrë që të krijojmë kushte për zhvillim demokratik dhe ekonomik. Kjo është arsyeja pse konflikti i ngrirë nuk është një opsion. Fjala kyçe në gjithë këtë është kompromisi”, tha ai.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme