Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka komentuar situatën në Shqipëri, duke u ndalur te protestat e zhvilluara në vend kundër qeevrisë dhe te çështjet që lidhen me procesin e integrimit europian.
Kos theksoi se mbrojtja e mjedisit është pjesë e kritereve të anëtarësimit dhe se Shqipëria duhet të harmonizojë legjislacionin me atë europian dhe se duhet të shfuqizojë amendamentet e vitit 2024 të ligjit për zonat e mbrojtura dhe për investimet strategjike.
“Përpara se të nisnin këto protesta, kishim rënë dakord me Shqipërinë që gjatë këtij viti të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 të ligjit për zonat e mbrojtura dhe të shfuqizohej ligji për investimet strategjike”, tha ajo, ndërsa theksoi se autoritetet shqiptare “duhet të veprojnë sa më shpejt të jetë e mundur”.
Sa i përket protestave, Kos tha se ato janë pjesë e proceseve demokratike dhe mënyra se si qeveritë reagojnë ndaj tyre është një element i rëndësishëm i funksionimit të demokracisë.
“Protestat janë pjesë e proceseve më të gjera demokratike dhe mënyra se si vendet i trajtojnë këto protesta është pjesë thelbësore e proceseve demokratike. Kështu që qeveria shqiptare duhet të marrë hapa përpara dhe të trajtojë shqetësimet e qytetarëve”, tha ajo.
Marta Kos: Lidhur me projektin, mbrojtja mjedisore është pjesë e kritereve të anëtarësimit në BE, kritere shumë të rëndësishme. Aktualisht ka një sërë ligjesh që duhet të ndryshohen për të përmbushur këto kritere. Por edhe përpara se të nisnin këto protesta, kishim rënë dakord me Shqipërinë që gjatë këtij viti të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 të ligjit për zonat e mbrojtura dhe të shfuqizohej ligji për investimet strategjike. Këto ndryshime do të duheshin bërë për të mbyllur negociatat për kapitullin 27, që ka të bëjë me mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
Inkurajoj autoritetet, siç dëgjuam që do ta bëjnë këtë gjë, që të veprojnë sa më shpejt të jetë e mundur. E dimë që kjo është një çështje shumë e rëndësishme në debatin publik shqiptar.
Protestat janë pjesë e proceseve më të gjera demokratike dhe mënyra se si vendet i trajtojnë këto protesta është pjesë thelbësore e proceseve demokratike. Kështu që qeveria shqiptare duhet të marrë hapa përpara dhe të trajtojë shqetësimet e qytetarëve.
Por, siç thashë, procesi i anëtarësimit është një proces në vazhdimësi. Kapitulli 27 është një kapitull kërkues, kështu që sigurisht jo vetëm për shkak të kësaj proteste, por mbi të gjitha që Shqipëria të harmonizojë legjislacionin për të cilin kemi rënë dakord kur çelëm grupkapitullin. Jemi të sigurt që asgjë nuk do të ndodhë në këtë fushë që nuk do të jetë e harmonizuar me legjislacionin evropian.
The post “Qeveria të dëgjojë qytetarët”, Marta Kos: Kemi rënë dakord të shfuqizohen amendamentet e ligjit të 2024 për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



