Qeveria shqiptare është tërhequr nga projekti për ndryshimin e Kodit të Familjes dhe ligjit për birësimet dhe rrjedhimisht ndryshimet në Kodin Penal.
Burimet i thanë gazetës “Panorama” se draft-ndryshimet janë tërhequr për shkak se ndryshimet në Kodin e Familjes kishin më shumë nevojë për saktësime dhe sqarime.
Po ashtu, sipas së njëjtave burime mësohet se një tjetër element që ka pasur nevojë për rregullim, ishte mosha e re e personave që u lejohej të birësonin fëmijë. Në muajin nëntor të vitit që lamë pas, Këshilli i Ministrave miratoi me propozim të ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Planin Kombëtar të Veprimit për personat LGBTI+ për periudhën 2021- 2027.
Sipas relacionit të projektvendimit, qeveria ka marrë nisma konkrete për ndryshimin e legjislacionit për Kodin e Familjes dhe Ligjin e Birësimit që hapin rrugë edhe personave LGBTI+ që të birësojnë fëmijë.
Ndryshimet thelbësore parashikoheshin në Kodin e Familjes. Në nenin 242 të Kodit ekzistues parashikohet se i mituri mund të birësohet vetëm nga bashkëshortët. Ndërsa, neni 242 sipas projektligjit, parashikon se i mituri mund të birësohet edhe nga një person i vetëm, nga bashkëjetuesit, të cilët kanë bashkëjetuar për tre vjet dhe bashkëshortët.
Birësimi nga një person i vetëm, i hap rrugë birësimit nga kushdo, përfshirë personat të së njëjtës gjini. Ndërkohë, në ligjin për birësimin ndër të tjera është bërë edhe përshtatja që t’i hap rrugë kësaj. Konkretisht në nenin 17 të projektligjit që flet për nenin 36 të ligjit ekzistues e që fokusohet në garantimin e të dhënave personale.
Në projektligjin tashmë të tërhequr nga qeveria parashikohej mbrojtja e të dhënave për aplikuesin për birësim. Pra, të personit tek dhe të aplikuesve konkretisht për çiftet.
“Komiteti, në cilësinë e kontrolluesit të të dhënave personale, respekton dhe përgjigjet për mbrojtjen e të dhënave personale të fëmijës në procedurat e birësimit, si dhe të aplikantit ose të aplikantëve birësues, duke zbatuar kushtet, kriteret e procedurat për përpunimin e tyre, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhej në draftin e mëparshëm.
Projektligjet ishin parashikuar që të shqyrtoheshin në gjysmën e parë të muajit nëntor, por sipas burimeve të gazetës “Panorama”, ato fillimisht u shtynë për t’u shqyrtuar dhe më pas qeveria vendosi që të tërhiqej.